‘Akuzë e hatashme’/ Deklarata e Ramës për AKSHI-n, Balliu: Po tenton të mbrojë veten!

Partia Demokratike, e ka cilësuar deklaratën e Edi Ramës për skandalin e AKSHI-t, si tentativë për të mbrojtur veten.

Rama u shpreh këtë të dielë se akuzat ndaj Mirlinda Karccanajt janë “të hatashme”, ndërsa sipas deputetit demokrat, Klevis Balliu, kjo është një tentativë për të mbrojtur veten.

Sipas Balliut, Rama ka frikë pasi është edhe vetë i implikuar në këtë skandal, ndërsa e ka cilësuar situatën si mafie shtetërore.

“Rama mbrojti një akt kriminal shtetëror: rrëmbimin dhe torturimin e një biznesmeni për ta detyruar të tërhiqej nga tenderi, që më pas t’i jepej baxhanakut të pushtetit. Kjo nuk është propagandë, por mafie shtetërore”,- shprehet Balliu ndër të tjera në një reagim në fb.

Ligjvwnwsi demokrat shkruan se: ‘Pa vendosur para drejtësisë Edi Ramën, nuk ka shpëtim për këtë vend. Çdo zgjidhje tjetër është shërbim ndaj narkoshtetit’.

Statusi

Rama nuk mbrojti AKSHI-n, por veten e tij

Në pseudo-podcastin e sotëm, Edi Rama mbrojti korrupsionin më të madh në historinë e vendit. Ai justifikoi një aferë ku baxhanaku i tij ka përfituar rreth 800 pagesa nga buxheti i shtetit, një skemë që ka cenuar sigurinë kombëtare dhe ka dorëzuar të dhënat personale të qytetarëve në duart e krimit të organizuar.

Rama mbrojti një akt kriminal shtetëror: rrëmbimin dhe torturimin e një biznesmeni për ta detyruar të tërhiqej nga tenderi, që më pas t’i jepej baxhanakut të pushtetit. Kjo nuk është propagandë, por mafie shtetërore.

Ai e bëri këtë sepse Ergys Agasi është masha e tij personale. Sepse AKSHI, Agasi, Balluku janë vetë Rama.

Pa vendosur para drejtësisë Edi Ramën, nuk ka shpëtim për këtë vend. Çdo zgjidhje tjetër është shërbim ndaj narkoshtetit.