'Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë', Aktivisti: Tension dhe presione në veri, qytetarët votojnë për herë të katërt këtë vit
Qytetarët e Republikës së Kosovës u janë drejtuar kutive të votimit për herë të katërt brenda një viti, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, me shpresën për të krijuar një qeveri të re e të qëndrueshme. Megjithatë, procesi zgjedhor, veçanërisht në veri të vendit, është shoqëruar me tensione dhe parregullsi serioze, të cilat shihen si pjesë e një strategjie për destabilizim.
Aktivisti Besnik Shabiu, në intervistën e mesditës në Syri Televizion me moderator Bledi Marku, u shpreh se ndërsa në pjesën më të madhe të vendit votimi po ecën relativisht i qetë, situata në veri paraqitet problematike.
Sipas Shabiut, raportohet se që në orët e para të mëngjesit janë vërejtur grupe të organizuara që ushtrojnë presion mbi votuesit, si dhe raste të votimit kolektiv, praktika këto që cenojnë rëndë fshehtësinë dhe lirinë e votës.
Këto veprime konsiderohen si një tentativë e qëllimshme për të përshkallëzuar situatën dhe për të minuar integritetin e procesit zgjedhor.
Prapa këtyre incidenteve qëndron një përpjekje e orkestruar nga Beogradi për të paraqitur Kosovën si një shtet pa kapacitete për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike. Ky skenar synon të dëmtojë imazhin ndërkombëtar të Kosovës në një kohë kur vendi përballet me ngecje në rrugën e tij euroatlantike, e shkaktuar si nga bllokadat e brendshme, ashtu edhe nga lobimi i vazhdueshëm i Serbisë kundër shtetësisë së saj.
Kjo situatë tensioni thekson edhe më tej nevojën urgjente për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Integrimi në këto struktura shihet si garancia e vetme për të siguruar stabilitet afatgjatë dhe siguri për qytetarët, duke i mbrojtur nga ndërhyrjet e jashtme që synojnë destabilizimin.
Deklarata e plotë:
"Po, realisht është cikli i katërt zgjedhor, sepse kemi pasur zgjedhjet nacionale në shkurt, pastaj dy runde të zgjedhjeve lokale, dhe tash i kemi zgjedhjet e jashtëzakonshme përsëri nacionale.
Pra, qytetarët e Republikës së Kosovës për herën e katërt sot po dalin në kutitë e votimit që edhe njëherë, të shprehin vullnetin e tyre të lirë se kënd duan ta kenë udhëheqës në qeverisjen e ardhshme. Është me të vërtetë, është e lodhshme besoj për secilin qytetar që për një hark kaq të shkurt kohor përfshihet në cikle zgjedhore kaq të shpeshta.
Megjithatë, kjo është situata reale dhe po shihet megjithatë një interesim, siç duket qytetarët e Republikës së Kosovës janë goxha të interesuar dhe janë optimist që do të ketë më në fund një qeveri të re dhe do të ketë institucione të cilat do të konsolidohen shumë më shpejt sesa që na ka ndodhur këtë periudhën e fundit.
Është shumë me të drejtë e shtrove si proces të më tutjeshëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Pra, këtë periudhën e fundit Kosova ka pasur ngecje më shumë për shkak të bllokadave të brendshme, por normalisht edhe për shkak të lobimit të armikut tonë shekullor, Serbisë, e cila në asnjë moment nuk rri e qetë dhe në vazhdimësi tenton ta paraqesë Kosovën si vend i të destabilizuar, si vend i cili nuk është i gatshëm të ecë tutje në arenën ndërkombëtare.
Fatkeqësisht, edhe sot ka filluar prej mëngjesit votimet në grupe, presione të mëdha ndaj votuesve, ka raportime të mëdha atje që po tentohet me u përshkallëzu situata dhe krejt qëllimi i Beogradit është që ta paraqesë Kosovën si një vend i cili nuk ka kapacitete dhe mundësi që të sigurojë një proces të rregullt zgjedhor.
Dhe kjo e përshpejton nevojën, normalisht, të Kosovës që sa më shpejt të bëjë hapa, në avancimin ndërkombëtar. Pra, Kosova fatkeqësisht ende nuk nuk i ka hapur kapitujt për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Jemi shumë prapa në këtë proces. Po ashtu edhe anëtarësimi në NATO.
Janë dy procese të cilat na presin dhe i kemi me urgjencë t'i zhvillojmë tutje, sepse do të jenë të vetmet procese që do të sigurojnë stabilitet dhe siguri për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Derisa vazhdojmë që të kemi problematikë të tillë me Serbinë, normalisht që edhe qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do të ndihen asnjëherë të sigurtë për të zhvilluar jetën e tyre në vendin e tyre që ju takon".