Vau i Dejës/ Bllokoi rrugën dhe kundërshtoi policinë, arrestohet, i gjenden drogë dhe municion luftarak

Një 42-vjeçar është arrestuar nga Policia pasi kishte bllokuar qarkullimin e automjeteve në fshatin Hajmel, si dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Ngjarja ka ndodhur gjatë një aktiviteti festiv, kur punonjësit e Policisë së Forcave të Posaçme “Shqiponja” janë njoftuar se një shtetas po pengonte qarkullimin rrugor. Menjëherë pas mbërritjes në vendngjarje, policia u përball me kundërshtim verbal nga shtetasi A. P., banues në Dejë.

Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti 42-vjeçarit një sasi lënde narkotike të dyshuar kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan municione luftarake.

Në përfundim të veprimeve procedurale, Oficeri i Policisë Gjyqësore, në bashkëpunim me Prokurorinë, bëri arrestimin në flagrancë të shtetasit A. P., 42 vjeç, për veprat penale:

“Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”,

“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, municionit dhe lëndëve shpërthyese”,

“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.