Wirtz thyen akullin me Liverpool-in, duhej vetëm pak më shumë kohë
Florian Wirtz më në fund ka shënuar golin e tij të parë me fanellën e Liverpool-it, duke qenë protagonist në fitoren ndaj Wolves në Anfield. Vetëm 89 sekonda pas golit të zhbllokimit të rezultatit nga Ryan Gravenberch, mesfushori gjerman dërgoi topin në rrjetë dhe ndezi stadiumin, i cili shpërtheu në një reagim entuziazmi.
Kanë kaluar 190 ditë që nga transferimi i tij te Liverpool-i për shifrën e madhe prej 116 milionë paundësh dhe ky gol u perceptua si momenti i vërtetë i “ardhjes” së tij në Merseyside. Pas asistit të rëndësishëm për Alexander Isak kundër Tottenham-it javën e kaluar, besimi i Wirtz ishte dukshëm në rritje dhe paraqitja ndaj Wolves e konfirmoi këtë.
Gjatë pjesës së parë, Wirtz ishte shfaqi kreativitet, guxim dhe aftësi të rralla teknike. Ai kompletoi shtatë driblime nga nëntë tentativa, një statistikë që e vendos ndër më të mirët e sezonit në Premier League. Ish-mbrojtësi i Liverpool-it, Stephen Warnock, e cilësoi atë si “lojtarin më të mirë në fushë me diferencë të madhe”, ndërsa Ellen White theksoi se cilësitë e tij kanë qenë gjithmonë të padiskutueshme.
Lidhja me Hugo Ekitike, i cili asistoi për golin e tij, u pa si një sinjal shumë pozitiv, veçanërisht në mungesë të Isak, që pritet të jetë jashtë për disa javë. Trajneri Arne Slot ka insistuar që Wirtz të përshtatet fizikisht me intensitetin e kampionatit anglez, dhe shenjat e para të këtij progresi tashmë po duken.
Edhe pse ka ende punë për t’u bërë në aspektin e qëndrueshmërisë fizike, ky gol shihet si pika e kthesës për Wirtz, i cili duket gati të marrë një rol gjithnjë e më vendimtar te Liverpool-i.