Përfundon procesi i votimit në 25 përfaqësi diplomatike, KQZ del me detaje! Nesër votohet në Kosovë
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka njoftuar mbrëmjen e sotme se ka përfunduar procesi i votimit në 25 përfaqësi diplomatike të Kosovës ndërsa votimi në përfaqësitë diplomatike në SHBA dhe Kanada do të përfundojë pas mesnate, sipas kohës lokale në Kosovë.
Në konferencën e tretë për media rreth këtij procesi Kreshnik Radoniqi deklaroi se procesi zgjedhor është zhvilluar pa pengesa dhe në përputhje me ligjin dhe procedurat.
“Ju njoftojmë se deri në këtë kohë ka përfunduar votimi në 25 përfaqësitë diplomatike në shtetet, si: Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke, Hungari dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas kohës lokale në Kosovë, në orën 01:00 pas mesnatës, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Gjatë gjithë ditës së sotme, KQZ ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe nga zyrtarët e shërbimit votues u janë ofruar udhëzimet e nevojshme për zhvillimin e votimit sipas ligjit dhe procedurave”
“ Në përgjithësi, nga komunikimi i vazhdueshëm, procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë pengesë. Në emër të KQZ-së, falënderojmë shefat dhe stafin e misioneve diplomatike dhe anëtarët e Këshillave të Vendvotimit për angazhimin e tyre gjatë ditës së sotme. Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29% apo 15,597 votues. Sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë”, ka deklaruar Radoniqi.
Nga 19,187 votues të regjistruar në përfaqësitë diplomatike, kanë votuar 15,597 votues apo 81.29 për qind.
Votimi në përfaqësi diplomatike ishte mundësuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, ndërsa më herët kishte qenë i mundur vetëm votimi përmes postës.
Procesi i votimit u zhvillua në 40 vendvotime, që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të huaja.
Këtu bëjnë pjesë gjashtë vendvotime në Gjermani, tri në Zvicër, dy në SHBA, dy në Kanada, dy në Itali, dy në Francë, dhe nga një në Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Suedi, Austri, Norvegji, Slloveni, Danimarkë, Turqi, Kroaci, Holandë, Hungari dhe Çeki.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli dukshëm e para nga votat në përfaqësi diplomatike. Gjithsej numri i diasporës që është regjistruar për të votuar në këto zgjedhje, përfshirë përmes votimit me postë është pak mbi 77 mijë.
Ndërkohë nesër në Kosovë rreth 2 milionë shtetas me të drejtë vote pritet t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit, në një proces të parakohshëm zgjedhor që ka angazhuar të gjitha hallkat e shtetit.