Lewandowski për të ardhmen te Barcelona: Ka ende kohë për të vendosur
Robert Lewandowski ka folur hapur për të ardhmen e tij te Barcelona, duke qetësuar zërat dhe spekulimet që kanë qarkulluar muajt e fundit. Sulmuesi polak, i cili në moshën 37-vjeçare rrezikon të largohet si lojtar i lirë në fund të sezonit nëse nuk rinovon kontratën aktuale prej 20 milionë eurosh neto në vit, theksoi se nuk ndien asnjë presion për të marrë një vendim të menjëhershëm.
Në një intervistë për gazetarin polak Bogdan Rymanowski, Lewandowski u shpreh qartë: “Ka ende kohë për të vendosur. Nuk e di ende se cilën rrugë do të ndjek”. Ai mohoi zërat për një ulje drastike të pagës, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për ta përgjysmuar atë dhe se nuk po diskuton me trajnerin për interesa të mundshme nga klube të tjera.
Vendimi final, sipas tij, do të varet nga dëshira e klubit dhe nga ajo që ai vetë do të konsiderojë më të mirën për karrierën e tij. Një rol kyç do të ketë edhe projekti sportiv i Barcelonës dhe roli që ai mund të ketë nën drejtimin e trajnerit aktual, Hansi Flick. Pikërisht ky aspekt, sipas Lewandowskit, do të peshojë më shumë sesa çështjet financiare.
I pyetur për mundësinë e një transferimi në Arabinë Saudite ose në MLS, Lewandowski u tregua i prerë se ende ka uri për futboll në nivelin më të lartë. “Dua gjithçka: të kualifikohem në Botëror, të fitoj La Ligën dhe Champions League”, tha ai, duke nënvizuar se edhe pse ndodhet në fazën finale të karrierës, ambiciet e tij mbeten shumë të larta.