A do ta përcaktojnë ‘Babagjyshat e Vitit të Ri’ nga Zvicra rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë?

Nga Enver Robelli, TAGES ANZEIGER

Ndonjëherë karikaturistët janë vëzhguesit më të mprehtë të realitetit. Pak para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë këtë të diel, karikaturisti i njohur Jeton Mikullovci vizatoi një aeroplan, një anije, një autobus udhëtimi dhe një makinë me targën “Diaspora”. Në timonin e mjeteve qëndronte Babagjyshi i Vitit të Ri.

Është fund dhjetori dhe qytetet e fshatrat e Kosovës po gjallërohen sërish. Tani është koha e kthimit në atdhe: njerëz që kanë zënë rrënjë në Zvicër, Gjermani, Austri apo gjetkë në Evropën Perëndimore. Në vendlindje nuk quhen pa arsye “Babagjyshat e Vitit të Ri”: diaspora jo vetëm që ndihmon familjarët, por mban në këmbë edhe ekonominë e vendit. Vitin e kaluar, 1,32 miliardë euro erdhën nga diaspora në Kosovë – që përbën 12,7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

19 mijë votues në Zvicër

Diaspora është gjithashtu politikisht me ndikim – aq sa mund të vendosë rezultatin e zgjedhjeve. Rreth 80 mijë kosovarë me vendbanim jashtë vendit janë regjistruar për zgjedhjet parlamentare, prej tyre gati 19 mijë në Zvicër. Ata votojnë me postë ose në përfaqësitë diplomatike. Shumë të tjerë do ta hedhin votën në Kosovë, pasi i kalojnë festat në atdhe.

Që nga mesi i dhjetorit, sipas medieve lokale, rreth 400 mijë persona kanë hyrë në Kosovë. Vetëm nga Zvicra, të premten pritej të uleshin 19 avionë në aeroportin e Prishtinës. Sipas Bankës Botërore, mbi 700 mijë persona me origjinë kosovare jetojnë jashtë vendit. Në vetë Kosovën jetojnë rreth 1,6 milion banorë.

Fushatë zgjedhore edhe në Zyrih dhe Grenchen

Fushata zgjedhore tashmë zhvillohet edhe jashtë vendit. Në mes të dhjetorit, kryeministri Albin Kurti nga lëvizja e majtë Vetëvendosje bëri fushatë në Zyrih dhe i vlerësoi anëtarët e diasporës si “heronj të heshtur”. Por edhe kundërshtarët janë aktivë: në Grenchen u mblodhën simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo forcë politike, sot e treta për nga fuqia, udhëhoqi që në vitet 1990 rezistencën paqësore kundër shtypjes serbe.

Jo të gjithë janë të kënaqur me rolin e diasporës në politikën kosovare. Disa gazetarë provokues në Prishtinë madje kërkuan t’u hiqej e drejta e votës kosovarëve jashtë vendit. Kjo është joreale: sipas Kushtetutës, çdo qytetar i Kosovës mbi 18 vjeç ka të drejtë vote.

Kritikët hedhin akuza ndaj Vetëvendosjes se po e instrumentalizon diasporën. Premtimi i Kurtit për të qeverisur “me duar të pastra” gjen jehonë te të larguarit: duke jetuar në shtete me sundim funksional të ligjit, ata reagojnë veçanërisht ndjeshëm ndaj korrupsionit dhe nepotizmit në atdhe.

Dhjetë muaj bllokadë politike

Bilanci i Kurtit, që nga fitorja e bujshme në vitin 2021, është zhgënjyes. Ai arriti të frenojë korrupsionin endemik të partive të vjetra që ishte rrënjosur që nga fundi i luftës në vitin 1999, por u rrethua me ministra të papërvojë, madje të paaftë. Reformat e rëndësishme dhe projektet infrastrukturore munguan. Shumicën absolute nuk e shfrytëzoi për të forcuar kohezionin e brendshëm të vendit; përkundrazi, e trajtoi opozitën me përbuzje dhe dështoi të ndërtonte ura politike.

Zgjedhjet parlamentare të kësaj të diele janë të dytat këtë vit. Në shkurt, Vetëvendosje doli partia më e madhe, por pa shumicë absolute. Pasoi një bllokadë dhjetëmuajshe, pasi Kurti nuk gjeti partner koalicioni. Ai refuzoi bashkëpunimin me partitë që dolën nga UÇK-ja, duke i konsideruar si arkitektë të korrupsionit endemik në vend.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës refuzoi bashkëpunimin me Kurtin, duke e akuzuar për populizëm dhe për tensionim marrëdhëniesh me mbështetësit perëndimorë. Shkak ishte veprimi i tij i njëanshëm: ai shpesh merrte vendime pa u konsultuar paraprakisht me SHBA-në dhe BE-në, gjë që solli tensione diplomatike.

Një “mbret i botës së krimit” mbetet i paprekur

Në thelb, bëhet fjalë për përpjekjen e qeverisë për të vendosur kontroll shtetëror në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht nga serbë. Ky territor për vite me radhë ishte i kontrolluar nga Beogradi përmes Listës Serbe dhe aktorëve të krimit të organizuar.

Situata u përshkallëzua në fund të vitit 2022, kur qeveria në Prishtinë kërkoi që automjetet në veri të pajiseshin me targa kosovare. Me urdhër të Beogradit, policët e minoritetit serb dhanë dorëheqje dhe dorëzuan uniformat; edhe gjyqtarët dhe kryetarët e komunave u larguan nga detyra. Një vit më vonë, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiç, organizoi një sulm terrorist në veri të Kosovës, ku u vra një polic. Radojçiç, bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, u arratis në Serbi me dhjetëra të armatosur. Atje jeton ende sot – i paprekur nga drejtësia serbe.

Perëndimi kërkon dialog

Në tetor, serbët i dhanë fund bojkotit dhe morën pjesë në zgjedhjet komunale. Kandidatët e Listës Serbe fituan në nëntë komuna, përfshirë katër në veri të vendit. Kalimi i pushtetit ishte paqësor – çka u përshëndet nga Brukseli dhe Uashingtoni. Si reagim, BE hoqi disa sanksione ndaj Kosovës, përfshirë ngrirjen e fondeve.

Megjithatë, diplomatët perëndimorë mbeten të pakënaqur me kursin e ashpër dhe pa kompromis të Kurtit në veri. Edhe zëra nga shoqëria civile në Prishtinë kërkojnë më shumë dialog me minoritetin serb. Por kjo shpesh është e pamundur: çdo serb që bashkëpunon me institucionet e Kosovës etiketohet nga Beogradi si tradhtar dhe vihet nën presion.