VIDEO/ Autobusët e vjetër marrin flakë në Durrës, zjarri rrezikon magazinat, zjarrfikësja ngec në baltë
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e sektorit Rinia në Durrës, ku autobusë të dalë jashtë përdorimit janë përfshirë nga flakët duke rrezikuar seriozisht disa banesa dhe magazina që ndodhen pranë vatrës së flakëve. Situata paraqitet problematike, ndërsa zjarri është përhapur me shpejtësi.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, mjetet zjarrfikëse kanë hasur vështirësi për t’iu afruar zonës së zjarrit, pasi janë bllokuar në baltë, çka ka penguar ndërhyrjen e menjëhershme dhe efektive.
Në zonë ndodhen autobusë të vjetër, të parkuar dhe jashtë përdorimit, të cilët po digjen dhe mund të përkeqësojnë më tej situatën.
Forcat e emergjencës janë në përpjekje për të vënë nën kontroll zjarrin, ndërsa pritet mbërritja e mjeteve shtesë për ndërhyrje.
Durrës / Informacion paraprak
Rreth orës 13:45, në lagjen nr. 15, Durrës, në parkun e autobusëve në sektorin “Rinia”, pranë “Eco Park”, ka rënë zjarr në ambientet e parkimit të autobusëve, ku, si pasojë, janë përfshirë nga flakët disa autobusë të vjetër.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses, të cilat po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit dhe për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.