SYRI TV/ Gjeli i Mallakastrës ‘mposht’ importin grek, tradita dhe shija ‘bio’ fitojnë mbi çmimin
Në prag të festave të fundvitit, shqiptarët vijojnë që të preferojnë gjelin e detit të rritur në vend. Fermerët e Mallakastrës pohojnë, se dhe pse gjeli i importuar nga Greqia, ka çmim më të ulët, shqiptarët mbeten besnikë, në blerjen e prodhimeve vendase.
Syri TV
Edhe pse në ditët e fundit të fundvitit tregu është furnizuar masivisht me gjel deti të importuar nga Greqia, ku ky i fundit nuk po arrin të konkurrojë gjelin e detit të zonës së Mallakastrës. Pavarësisht se gjeli grek shitet me çmim më të ulët, konsumatorët vijojnë të preferojnë prodhimin vendas. Fermerët e Mallakastrës e pohojnë se importet u kanë “prishur punë”, por theksojnë se shitjet nuk kanë munguar. Sipas tyre, gjeli dhe pula e detit e rritur në këtë zonë shitet me çmim që varion nga 7 deri në 9 mijë lekë për kilogram, ndërsa gjeli i importuar nga Greqia tregtohet me rreth 5 mijë lekë për kilogram.
Fermerët shpjegojnë se gjeli i Mallakastrës ka një shije të veçantë për shkak të mënyrës së rritjes. Ai ushqehet në fusha me jonxhë, bar natyral dhe nën ullishte, çka ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e mishit dhe aromën karakteristike që e dallon nga gjeli i importuar. Përveç tregut vendas, gjeli i Mallakastrës ka gjetur rrugë edhe jashtë kufijve të vendit. Sipas fermerëve, prodhimi i tyre është eksportuar drejt Italisë, Greqisë, Gjermanisë dhe Anglisë.
Si çdo vit, edhe këtë ndërrim vitesh, fermerët e fshatrave të Mallakastrës që jetojnë pranë autostradës Levan–Tepelenë janë detyruar të shesin anës rrugës, për shkak të mungesës së një tregu të posaçëm. Kjo situatë jo vetëm që vështirëson punën e tyre, por shpeshherë është kthyer edhe në burim rreziku për aksidente rrugore.