SYRI TV/ Vandalizohen varrezat publike në Kukës – Dëmtohen varret, vidhen objektet përkujtimore

Qytetarët në Kukës janë përballur me vandalizimin e varrezave. Persona të paidentifikuar kanë dëmtuar varret dhe kanë vjedhur objektet përkujtimore. Qytetarët shprehen se ky është një fenomen i përsëritur ndërsa nuk janë marrë masa asnjëherë.

Syri TV

Varrezat publike në qytetin e Kukësit janë vandalizuar nga persona të paidentifikuar. Kanë qenë familjarët e të prehurve që kanë konstatuar dëmtimin e varreve dhe zhdukjen e sendeve të vendosura mbi to. Persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë shkulur dhe marrë vazot me lule, mbajtëset e qirinjve dhe objekte të tjera përkujtimore, duke u shkaktuar qytetarëve shqetësim dhe indinjatë.

Banorët jashtë kamerës u shprehen të tronditur nga ky fenomen, i cili sipas tyre po përsëritet, ndërkohë që varrezat publike përballen edhe me mungesë hapësirash për hapjen e varreve të reja. E premtja e cila për shumë familje kuksiane është dita e përjavshme e vizitave dhe lutjeve për të afërmit e ndjerë, e ka bërë edhe më të rëndë përjetimin e qytetarëve ndaj dhunimit të varrezave.

Për ta, kjo ditë nuk është vetëm një rit tradicional, por një mënyrë për të ruajtur kujtimin dhe lidhjen shpirtërore me të dashurit e tyre, ndaj dëmtimi i varreve konsiderohet një cenim i ndjeshmërisë dhe i respektit ndaj të vdekurve.