Zbuloi skandalin e korrupsionit brenda autoriteteve lokale, vritet gazetari peruan
Një gazetar peruan ndërroi jetë të premten në një spital në Lima, pas sulmit që kishte pësuar nga persona të armatosur, njoftoi Shoqata Kombëtare e Gazetarëve të Perusë (Asociación Nacional de Periodistas, ANP), duke e çuar në katër numrin e gazetarëve të vrarë këtë vit në vend.
Mitsar Castillejos u plagos për vdekje më 12 dhjetor, teksa po largohej nga banesa e tij për t’u drejtuar drejt radios Latin Plus, ku punonte, në rajonin Ucayali.
Gazetari 34-vjeçar ishte i njohur për investigimet dhe zbulimin e skandaleve të korrupsionit brenda autoriteteve lokale.
ANP kërkoi “ndëshkim shembullor për autorët e kësaj vrasjeje”. “Ky vit ka qenë shkatërrues për lirinë e shtypit në Peru”, theksoi shoqata në reagimin e saj.
Në fillim të këtij muaji, Fernando Núñez, gazetar i portalit informativ Kamila TV, u qëllua për vdekje teksa kthehej nga një reportazh në rajonin La Libertad, në veri të Perusë.
Më herët, gazetarët Gastón Medina dhe Raúl Celis u vranë gjithashtu nga persona të armatosur, ndërsa aktiviteti i bandave kriminale po zgjerohet në mbarë vendin.
Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve, nga janari deri në tetor janë regjistruar 1.888 vrasje në Peru, një rritje prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.