Kur shteti sillet si bandë, qytetarët nuk e kanë luksin të sillen si spektatorë - Video Piranjat
Editorial i Florjan Binajt
Është fundi i 2025-s po askund nuk shoh atmosferë festash.
Gjysma e Shqipërisë merr ushqimet me listë, gjysma tjetër sheh me gojë hapur listën e hajdutëve të qeverisë në SPAK.
Ngjarjet e këtyre ditëve më kanë bindur më shumë se kurrë që kandidimi im ishte jo vetëm gjëja e duhur, por një domosdoshmëri.
Kur dëgjon që një biznesmen rrëmbehet, kërcënohet, dhunohet, vetëm që të tërhiqet nga një tender publik…
e kupton që shteti nuk po funksionon keq.
Shteti është marrë peng.
Dikur thoshim: “janë të korruptuar”.
Sot faktet na detyrojnë duhet të flasim ndryshe: janë bërë një me krimin.
Dhe kjo aleancë nuk po vjedh më vetëm para.
Po vjedh frikën, jetën, sigurinë.
Ajo që më trondit më shumë
nuk është vetëm dhuna.
Është heshtja pas saj.
Një listë e gjatë me të akuzuar nga drejtësia, një pjesë në burg ose në arrest shtëpie, po asnjërit nuk i shkon ndër mend të japë dorëheqje.
Karçanaj, jo. Balluku, jo. Veliaj, jo. Ky i Rrugëve, ky i KESH-it, jo. Zero dorëheqje.
Zero dorëheqje.
Zero përgjegjësi.
Asnjë “më falni”.
Dhe dosjet e SPAK-ut, ku mediet… shtohen rresht në listë. Jo në atë të dyqanit bukës, por në listën e korrupsionit.
Si të ishte krejt normale.
Si të ishte pjesë e paketës së pushtetit.
Dhe në këto momente, e kupton pse vendime që dikur dukeshin të vështira, sot duken të domosdoshme.
Ngjarjet e këtyre ditëve ma kanë bërë të qartë: Kandidimi nuk ishte vetëm gjëja e duhur. Ishte e vetmja gjë e ndershme për t’u bërë.
Sepse:
Çdo ditë që kjo qeveri qëndron në pushtet, Shqipëria dëmtohet.
Ekonomia grabitet. Shteti shkatërrohet. Qytetarët frikësohen.
Dhe sot, kjo aleancë mes krimit dhe pushtetit është bërë rrezik real jo vetëm për mirëqenien por dhe për jetën e njerëzve.
Asnjë parti, vetëm, nuk e ndal dot këtë.
Dhe nëse partitë duan vërtet ndryshim, duhet të kenë guximin të mbështesin zgjidhje jashtë vetes: intelektualë, aktivistë, qytetarë të angazhuar, njerëz që nuk vijnë nga pazaret e pushtetit. Ne kemi nevojë për këta njerëz.
Ndryshimi i vërtetë nuk vjen nga lart.
Vjen nga qytetarët kur bëhen bashkë.
Për fat të keq, nuk na u dha mundësia të bëjmë zgjedhje për Tiranën. Por kjo nuk do të thotë që përgjegjësia jonë mbaroi.
Sot kemi një detyrë më të thjeshtë dhe më të vjetër se vota: Të mos heshtim. Të bashkohemi. Të dalim në protesta.
Sepse kur shteti sillet si bandë, qytetarët nuk e kanë luksin të sillen si spektatorë.
Dhe ka raste kur kandidimi nuk është për të fituar pushtetin.
Është për të treguar që pushteti nuk është i tyre përgjithmonë.
Gëzuar. Dhe mirupafshim në protesta.