Logu: Tentativa për t’i dhënë imunitet Ballukut është vendosje e politikës mbi ligjin

Drejtësia dhe politika gjenden në një betejë të hapur që ka në qendër fatin e zyrtarëve të lartë. Rasti i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, po shërben si një test vendimtar për funksionimin e shtetit ligjor dhe balancat mes institucioneve. Konflikti u ndez pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të ministres Balluku, një hap i nevojshëm për të proceduar më tej me hetimet ndaj saj.

I ftuar në edicionin e lajmeve të SYRI TV HD, avokati Besard Logu deklaroi se përplasja e fortë mes qeverisë dhe drejtësisë nuk është një krizë politike, por një provë reale për funksionimin e shtetit ligjor.

Sipas tij, tentativa për t’i dhënë imunitet kushtetues një ministri nën hetim përbën një keqinterpretim të rrezikshëm të Kushtetutës dhe synon të vendosë politikën mbi ligjin.

Logu theksoi se çështja Balluku nuk ka të bëjë me vullnet politik apo stabilitet qeverisës, por me përgjegjësi penale, duke paralajmëruar se çdo precedent që e bën pushtetin të paprekshëm minon reformën në drejtësi dhe parimin e barazisë para ligjit.

Pjesë nga deklarata:

Dëgjo, fakti që ka konflikt mes pushteteve është lajm i mirë. Do të thotë që gjërat janë në normalitetin e tyre. Vetë pushteti kam parasysh pushtetin politik nga natyra është korruptues; ai të korrupton dhe korrupton këdo që del përpara. Në këto kushte, një gjyqësor i pavarur dhe funksionimi normal i pushteteve të ndara do të sjellë pa diskutim përplasje mes këtyre dy pushteteve.

Dua të sjell një shprehje për krahasim, nëse nuk gaboj, të Borselinos, i cili thoshte se shteti dhe krimi janë gjatë gjithë kohës në një luftë të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Në momentin që ka armëpushim, ka paqe, diçka e keqe po ndodh, po gatuhet. Duke e konkretizuar me temën: nëse do të kishim paqe mes gjyqësorit dhe politikës, pa diskutim që kjo do të ishte problem.

Fakti që politika po shfrytëzon çdo mekanizëm juridik e politik tregon se ajo, për ta thënë në zhargon, është vendosur në cep nga ana e gjyqësorit. Në vlerësimin tim, viti 2026 do të sjellë surpriza: do të ketë procedime, do të ketë ndalime, përtej vullnetit politik që deri tani duket se po mbron zyrtarët e saj.

Nëse është e nevojshme, le të burgosen të gjithë, sepse për hir të së vërtetës burgjet janë të mbushura me njerëz ndaj të cilëve janë aplikuar masa të tepruara shtrënguese, madje edhe për vepra penale për të cilat mund të aplikoheshin dënime alternative. Këtu bëhet fjalë për shpërdorim të besimit publik dhe të fondeve publike. Këta zyrtarë duhet të përgjigjen para drejtësisë.

Sa i përket mbrojtjes, veçanërisht për zonjën Balluku që është rast klasik, pasi është njëkohësisht zëvendëskryeministre dhe ministre duket se ka dy momente. Së pari, ankimi në Gjykatën Kushtetuese, që realisht është mbrojtja më e rrezikshme, sepse po tentohet t’i jepet një mbrojtje kushtetuese zonjës Balluku në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres. Së dyti, mbrojtja politike që po i bëhet dhe që pritet të intensifikohet në rastin e heqjes së imunitetit, me gjasë në janar, pasi ky vit po mbyllet.

Pse është rast i keq? Sepse po bëhet qëllimisht një interpretim i gabuar i nenit 103, paragrafi 3, i Kushtetutës. Po barazvlerësohet posti i ministrit me atë të deputetit, duke i dhënë garanci imuniteti. Ky është një keqinterpretim. Në rastin e zonjës Balluku duhet bërë ndarja mes pushtetit që buron nga mandati i deputetit i dhënë nga populli përmes votës dhe pushtetit që buron nga propozimi i kryeministrit dhe dekretimi i presidentit.

Imuniteti i deputetit cënohet vetëm në raste të caktuara, si arrestimi apo kontrolli personal i banesës. Ndërsa shkrirja e këtyre dy statuseve juridike në një të vetëm është e gabuar. Nëse Gjykata Kushtetuese do të ndjekë këtë linjë, do të krijojë një precedent shumë të rrezikshëm, sepse po i jepet ministrit një imunitet që Kushtetuta nuk ia njeh. Në këtë rast bie parimi universal i barazisë para ligjit.

Kam përshtypjen se Gjykata Kushtetuese do të tregojë integritetin e saj, pasi ka anëtarë që gëzojnë integritet profesional. Nga votimi i fundit u panë lëvizje qëndrimesh, por duke parë edhe zhvillimet e fundit dhe kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit, mendoj se Gjykata do të rishikojë mendimin paraprak lidhur me pezullimin e ekzekutimit të vendimit të GJKKO-së.

Zoti Rama pretendon se ka konflikt dhe cenim të ndarjes së pushteteve. Por realisht, në momentin që zonja Balluku nuk jep dorëheqje dhe kryeministri nuk e zëvendëson, është ekzekutivi ai që krijon konfliktin. Nuk është gjyqësori. Gjyqësori është në të drejtën e tij kur thotë: kam një ministre nën hetim dhe çmoj se duhet aplikuar një masë sigurimi.

Në vlerësimin tim, zonja Balluku ose po këshillohet keq, ose po keqpërdoret. Çdo akt i prokurorisë apo i gjykatës që kontestohet politikisht dhe që shoqërohet me mbrojtje juridike, në fakt po ia rëndon pozitat penale. Hetimi nisi me tenderin e Llogarasë, kaloi te loti i parë, u hapën shtatë lote të tjera dhe tani kërkohet heqja e imunitetit. Nëse kjo refuzohet, mund të ketë kërkesa të tjera, deri edhe në raste flagrante për intimidim dëshmitarësh apo prishje provash.

Zonja Balluku duhet t’i thërrasë vetëdijes. Nuk bëhet luftë me institucionin e drejtësisë. Lufta bëhet brenda institucionit, në sallën e gjyqit. Shko, provo pafajësinë, merre kartën morale dhe dil para publikut. Kjo do të krijonte respekt.

Duhet bërë dallimi mes retorikës politike të opozitës ndaj prokurorëve apo gjyqtarëve të caktuar dhe luftës institucionale që po bën mazhoranca për t’i dhënë ministrit një imunitet që Kushtetuta nuk e parashikon. Imuniteti vlen për ushtrimin e mandatit të deputetit, jo të funksionit të ministrit. Deputeti nuk ka funksion administrativ, ndërsa ministri po. Ministri ka vartës, nxjerr urdhra, udhëzime, emëron dhe shkarkon; deputeti jo. Këto janë elemente që i kupton edhe një student i vitit të parë.

Zonja Balluku po hetohet në cilësinë e ministres dhe zëvendëskryeministres, jo si deputete. Të çosh çështjen në Gjykatën Kushtetuese, të tentosh ndikim apo presion ndaj saj, është shumë më e rrezikshme sesa një letër apo retorikë politike. Këtu po flasim për krijimin e precedentëve kushtetues, gjë që është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe na largon nga parimet e shtetit të së drejtës.

Më kujtohet shprehja e ish-ambasadorit Lu: “Do të kapim peshqit e mëdhenj”. Peshqit e mëdhenj këta janë. SPAK dhe GJKKO gëzojnë mbështetje të lartë publike pikërisht sepse pritet që të luftojnë korrupsionin në nivelet e larta. Në momentin që kapet një “peshk i madh”, nuk mund të fillojmë me interpretime artificiale kushtetuese për ta shpëtuar. Përndryshe, po krijojmë idenë se kushdo që do t’i shpëtojë ligjit, mjafton të bëhet ministër.