Amorim sqaron pretendetët për futbollistin: Mainoo është e ardhmja e Manchester United
Ruben Amorim ka shuar zërat që lidhnin Kobbie Mainoo me një largim të mundshëm nga Manchester United gjatë merkatos së dimrit, duke dhënë një mesazh të qartë për Napolin dhe të gjitha skuadrat e interesuara. Në konferencë për shtyp, trajneri i “Djajve të Kuq” është shprehur prerazi: “Për mua, Mainoo është e ardhmja e Manchester United”, një deklaratë që e bën ndjeshëm më të vështirë çdo tentativë për transferimin e mesfushorit të talentuar.
Mainoo, i lindur në vitin 2005, është një nga objektivat kryesorë të Napolit për janarin, por fjalët e Amorim tregojnë se klubi anglez nuk ka ndër mend të heqë dorë lehtë nga një prej talenteve më premtuese të akademisë së tij. Trajneri portugez ka pranuar se skuadra po kalon një moment të vështirë, por ka theksuar se ekziston një plan i qartë për të ardhmen.
“Ne kemi një plan dhe do ta ndjekim. Nëse do të kemi mundësinë të marrim një lojtar që përfaqëson të ardhmen e klubit, do ta bëjmë. Përndryshe, kemi alternativa brenda ekipit”, ka deklaruar Amorim, duke përmendur edhe emra të rinj si Jack Fletcher dhe Shea Lacey, si dhe rikthimet e disa lojtarëve të rëndësishëm në javët në vijim.
Sa i përket Mainoo-s, Amorim ka qenë edhe më i qartë për rolin e tij: mesfushori do të ketë të njëjtat mundësi si gjithmonë dhe mund të aktivizohet në disa pozicione. Ai mund të luajë si mesfushor qendror, në rolin e Casemiro-s, në një treshe në mesfushë apo edhe më i avancuar, në pozicionin që ka mbuluar Mason Mount.
“Për mua, ai është e ardhmja e Manchester United. Në futboll gjithçka mund të ndryshojë shpejt, por kjo është ndjesia ime”, ka përfunduar Amorim, duke dërguar një sinjal të fortë për Napolin dhe çdo pretendente tjetër.