Futbolli francez në zi, ndërron jetë në moshën 72-vjeçare trajneri Jean-Louis Gasset
Futbolli francez është tronditur nga një lajm i dhimbshëm. Ditën e sotme ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare Jean-Louis Gasset, një prej figurave më të respektuara të pankinave franceze, i cili la gjurmë të thella si trajner dhe si njeri i futbollit.
Jean-Louis Gasset lidhet ngushtë me historinë e Montpellier, klub ku luajti si futbollist nga viti 1975 deri më 1985. Pikërisht në atë vit ai nisi rrugëtimin e tij në stafin teknik, duke u bërë ndihmës trajner i ekipit. Karriera e tij si trajner i parë mori jetë në vitin 1998, sërish te Montpellier, klub që mbeti gjithmonë pjesë e identitetit të tij sportiv.
Gjatë karrierës, Gasset drejtoi disa skuadra të rëndësishme si Bordeaux dhe Olympique Marseille, si dhe përfaqësoi me dinjitet kombëtaren e Bregut të Fildishtë. Një kapitull i veçantë ishte edhe roli i tij si ndihmëstrajner i Francës nga viti 2010 deri më 2012, si dhe më pas te Paris Saint-Germain nga 2013 deri më 2016. Veçanërisht i paharrueshëm mbetet bashkëpunimi i tij me Laurent Blanc, me të cilin kontribuoi në rikthimin e kombëtares franceze drejt sukseseve madhore.
Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, e përkujtoi Gasset me fjalë shumë prekëse, duke theksuar se futbolli francez ka humbur një nga shërbyesit e tij më të mëdhenj. Sipas tij, Jean-Louis Gasset nuk ishte vetëm një trajner i vlerësuar, por edhe një njeri thellësisht human, frymëzues dhe i përkushtuar, që u transmetoi vlera dhe pasion brezave të tërë.
Federata Franceze e Futbollit i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të tij, në një ditë zie për mbarë futbollin francez.