'Projekti për Qëndrën Historike të Shkodrës', Spahia: Skemë mafioze e Benet Becit dhe bandës kriminale që e sponsorizon
Deputeti i opozitës, Bardh Spahia, në një prononcim në rrjete sociale, shkruan se Shkodra po përballet me një plan të rrezikshëm që synon ndryshimin rrënjësor të Qendrës Historike të qytetit.
Sipas tij, me të njëjtën skemë që u përdor për betonizimin e Tiranës, përmes kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, po tentohet miratimi i një plani urbanistik që lejon ndërtime shumëkatëshe deri në 9 kate në zonën muzeale.
Spahia thekson se një ndërhyrje e tillë do të dëmtonte rëndë trashëgiminë kulturore, identitetin historik të Shkodrës dhe vlerat e trashëguara nga breza të tërë shkodranësh.
Deklarata e plotë:
"Me të njëjtën skemë siç betonizuan Tiranën, politikat e errëta të strukturës më kriminale, Rilindjes, përmes njeriut të ulur në karrigen e kryetarit të bashkisë Shkodër nga krimi, Benet Beci, po tentojnë të vënë në zbatim një plan ogurzi për Qëndrën Historike të Shkodrës.
Fillimisht Beci i partisë së krimit, ja beson një kompanie që nuk di as historinë dhe as identitetin e Shkodrës, hartimin e planit të detajuar vendor. Ky plan që kjo kompani dorëzon parashikon të ngrihen ndërtime deri në 9 kate, në zonën muzeale, në dëm absurd dhe të plotë të asaj që kemi trashëguar deri më sot nga arkitekti Kolë Idromeno.
Edhe pse i pandehur nga SPAK për korrupsion me fonde publike, Beci shërbëtor i krimit, vazhdon abuzimet dhe shpejton ta dërgojë për miratim këtë plan, duke anashkaluar tërësisht institucionet si: Instituti Kombëtar i Trashigimisë Kulturore dhe Drejtoria Rajonale e Trashigimisë Kulturore Shkodër, që drejtëpërdrejtë kanë në administrim monumentet e kulturës.
Ai guxon të shkojë deri në atë pikë sa të hedh poshtë edhe Vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr.771, date 30.09.2020 “PËR DEKLARIMIN PASURI KULTURORE TË QENDRËS HISTORIKE TË QYTETIT TË SHKODRËS, PËRCAKTIMIN E ZONËS MBROJTËSE TË SAJ DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE”.
Betonizimi i qëndrës së Shkodrës dhe hapja rrugë për të tilla ndërtime, nuk është asgjë tjetër, veçse favorizim për klientët e pushtetit, që duan të pastrojnë paratë e krimit me ndërtime, që shkatërrojnë identitetin e Shkodrës dhe asfiksojnë zemrën e qytetit.
Nga ana tjetër Beneti ka bllokuar çdo leje të mundshme ndërtimi për çdo banor të qytetit të Shkodrës duke i detyruar të shkojnë dhe të blejnë njësi apartamentesh tek ata të pushtetshëm të cilët ndërtojnë me urdhër dhe për llogari të Benetit dhe Ramës
Ky plan shkatërrimtar i identitetit të qytetit tonë duhet ndalur dhe Shkodra e shkodranët nuk mund dhe nuk do ta pranojnë këtë skemë mafioze të Benet Becit dhe bandës kriminale që sponsorizon mbajtjen e tij në atë karrige, që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve".