'Na anuluan udhëtimin 2 orë para nisjes', Qytetari denoncon Air Albania: 800 euro humbje, zero rimbursim!

Një tjetër rast i abuzimit me biletat e udhëtimit nga kompania ajrore Air Albania është denoncuar nga një qytetar, i cili tregon kalvarin e përjetuar nga prindërit e tij, të cilët mbetën rrugëve pas anulimit të fluturimit vetëm dy orë para nisjes.

Në një dëshmi për Kafe Shqeto, Ermir Kastrati shpjegon se kishte rezervuar biletat për prindërit e tij dy muaj përpara, për fluturimin Tiranë-Milano në datën 30 nëntor.

Megjithatë, dy ditë para datës së planifikuar, ai merr një njoftim me email se fluturimi ishte shtyrë për në datën 3 dhjetor.

Duke pranuar ndryshimin, prindërit e tij u nisën nga Korça drejt aeroportit të Rinasit në datën e re. Por, kur ata ndodheshin tashmë në aeroport, vetëm dy orë para fluturimit, një tjetër email i njofton për anulimin përfundimtar të udhëtimit.

Ky anulim i papritur i detyroi ata të gjenin një hotel për të kaluar natën dhe të blinin bileta të reja me një kompani tjetër, me një kosto prej 400 eurosh. Në total, shpenzimet për një udhëtim që normalisht kushton shumë më pak, arritën shifrën 800 euro.

Sipas qytetarit, kompania Air Albania nuk i ka ofruar asnjë rimbursim dhe nuk i është përgjigjur tentativave të shumta për komunikim.

Në lidhje me këto ankesa të përsëritura, qarkullojnë zëra se kompania mund të jetë në prag të falimentimit, por nuk e shpall atë zyrtarisht për të shmangur detyrimet financiare. 

Flitet gjithashtu se nga 23 janari, fluturimet mund të merren përsipër nga Turkish Airlines, ndërsa shteti shqiptar mund të detyrohet të blejë aksionet e Turkish te Air Albania dhe të marrë përsipër borxhin e kompanisë.

Kjo situatë ka prekur një numër të madh udhëtarësh, përfshirë persona që udhëtojnë drejt Evropës për arsye shëndetësore, si kontrolle mjekësore apo operacione. Përveç kostos së biletave, ata humbasin edhe paratë e paguara për vizitat dhe kontrollet e planifikuara, duke e bërë dëmin ekonomik dhe moral edhe më të madh.

Deklarata e plotë:

"Unë kam prerë biletat për prindërit. Domethënë e kam prerë dy muaj para, po në 30 nëntor duhet të nisej avioni nga Tirana drejt Milanos.

Dy ditë para, më vjen një email ku më thotë udhëtimi juaj është anulluar, fluturimi është anulluar, dhe më japin një mundësi që do niset avioni në datën 3 dhjetor.

 Okej, e konfirmova, thashë në rregull. Në datën 3 dhjetor nisen prindërit nga Korça drejt Tiranës.

Diku dy orë para, ata ishin gati në Rinas kur më erdhi email-i, edhe më dërgojnë që fluturimi është anulluar.

Ngelën, u detyrova preva një, një hotel aty afër për një ditë, dhe të nesërmen u detyrova të prisja një biletë tjetër me, me një kompani tjetër, 400 euro, për të, domethënë për udhëtimin drejt, drejt Milanos.

Diku te 800 euro kam harxhuar dhe ky udhwtim nuk u bw. Nuk jam dwmshpwrblyer.

I bie unë shpeshherë, po nuk përgjigjen asnjëherë.

Ky është një falimentim i radhës.

Mëshumë më vjen keq se ka shumë njerëz që drejtohen drejt Italisë apo drejt Europës, edhe për vizitat shëndetësore, kush ka probleme me zemrën, kush ka bërë operacione.

Dikush ka prenotuar një, një vizitë apo një kontroll që është një shpenzim edhe ajo. Duke, duke e marrë parasysh që ne nuk jemi në në komunitetin europian dhe është një shpenzim".