'Pensioni mesatar shqiptar sa 9% i atij në BE', Kondi: Pensionistët italianë po 'pushtojnë' Shqipërinë, ja sekreti që...

Një fenomen në rritje po vërehet vitet e fundit në Shqipëri: një fluks gjithnjë e më i madh pensionistësh italianë që zgjedhin të kalojnë vitet e artë në vendin tonë. Por përtej klimës dhe afërsisë kulturore, arsyeja kryesore është tërësisht financiare. Një skemë ligjore dhe fiskale u lejon atyre të kursejnë mijëra euro në vit, duke krijuar një kontrast të thellë me realitetin e vështirë të pensionistëve vendas.

Ramadan Kondi, ekspert për problemet financiare fiskale dhe pensionet i ftuar mëngjesin e sotëm në ‘Kafe Shqeto’ pohoi se diferenca mes dy realiteteve është a stronomike. Sipas Kondit, pensioni minimal në Itali arrin shifrën rreth 1300 euro, ndërkohë që pensionet mesatare dhe maksimale shkojnë shumë më lart, nga 15,000 deri në mbi 50,000 euro në vit.

Çelësi i këtij "eksodi" sipas Kondit qëndron te sistemi i taksimit. Në Itali, pensioni konsiderohet e ardhur personale dhe tatohet me shkallë progresive nga 23% deri në 43%. Kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e pensionit të tyre shkon për taksa në shtetin italian.

Koni thotë se  këtu hyn në lojë Shqipëria. Duke u transferuar dhe duke marrë statusin e rezidentit në Shqipëri (që kërkon një qëndrim prej më shumë se 183 ditësh në vit), pensionistët italianë kanë të drejtë të transferojnë pensionin e tyre në një bankë shqiptare. Për shkak të legjislacionit dhe marrëveshjeve në fuqi, pagesat që vijnë nga skemat e sigurimeve shoqërore nuk tatohen në Shqipëri.

Si rezultat, ata e marrin pensionin e tyre bruto të plotë, pa iu zbritur asnjë cent taksë, duke kursyer kështu nga 23% deri në 43% të të ardhurave të tyre vjetore.

Ky avantazh i madh financiar i ka kthyer qytete si Vlora dhe Durrësi në destinacione të preferuara për të moshuarit italianë, veçanërisht ata nga jugu i Italisë.

"Ata janë të privilegjuar," shprehet Kondi, duke theksuar se kjo situatë krijon një grup të favorizuar që përfiton maksimalisht nga sistemi shqiptar.

Ky realitet krijon një tablo ironike dhe të dhimbshme kur krahasohet me gjendjen e pensionistëve shqiptarë. Ndërsa të huajt gjejnë një parajsë fiskale, pensionistët vendas luftojnë për mbijetesë me të ardhura minimale.

Kondi shprehet se sipas të dhënave tronditëse, pensioni mesatar në Shqipëri është sa 9% e pensionit mesatar në Bashkimin Evropian, duke e renditur vendin në fund të çdo klasifikimi evropian për sa i përket dinjitetit dhe mirëqenies së të moshuarve.

Kondi:

Ndërmjet pensionistëve italianë dhe pensionistëve shqiptarë ka një diferencë jashtëzakonisht të madhe. Mbasi pensioni minimal në Itali është rreth 1300 euro. Minimali. Dhe vërtet në Itali në raport me ne kemi një ndryshim në sistemin e taksimit krejt ndryshe. Mbasi italianët pensionin e quajnë si të ardhur personale dhe e tatojnë si dhe të ardhurat e tjera personale, pensionin.

Ndërsa ne, të gjithat ato që bëhen pagesë nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, janë të patatueshme, të gjitha të patatueshme. Por është ai raporti që thashë, sepse pensioni në, në Itali varion nga 15.000 deri në 50.000 pensioni vjetor.

Dhe kështu që, të gjithë ata që e kanë pensionin mbi 15.000 euro, domethënë mbi 1250 i bie mesatarisht në muaj, fillojnë dhe tatohen dhe fillon tatimi nga 23 deri 43%. Pra kush e ka mbi 50.000 eurot, se ka dhe pensione mbi 50.000 euro në vit, e kanë tatimin 43%. Ka një diçka që të ardhurat personale, përgjithësisht tatohen në vendin ku ku realizohen dhe ku shpenzohen

Atëherë, kur ata vijnë në Shqipëri, efektivisht dhe bëhen rezidentë, dhe po duhet të bëhen dhe rezidentë shqiptarë. Pra duhet të kalojnë mbi gjashtë muaj, sepse duhet mbi 183 ditë që ta konsiderosh rezident. Atëherë bëhet transferimi, bëhet dhe transferimi i pensionit në Shqipëri.

Pra kur e transferon pensionin në Shqipëri, dhe jepet në në Itali, ai nuk tatohet fare. Kjo ndodh për të gjitha, pothuajse kjo është e drejtë në të gjitha shtetet, janë ca skema që kanë marrë të drejtën e qytetarisë gjithandej. Dhe pse nuk janë shumë të përcaktuara në këto marrëveshje ndërkombëtare përsa i përket sistemeve fiskale, kur vjen puna, këto e kanë marrë të drejtën e qytetarisë. Pra në këtë këndvështrimi, pensionistët italianë fitojnë te ne.

Pastaj ka dhe disa zona siç është në Italinë e Jugut për shembull, me Italsidi e kështu gjëra , kur vajta një ditë në Vlorë para nja dy vjetësh mos gaboj dhe mbasi pyeta pesë, gjashtë nga ata pensionistët që ishin atje, tre më dolën që ishin vetëm nga Taranto. Domethënë, po është Italsidi, i cili është shumë, shumë, ka një ambient shumë të rëndë. Dhe kështu që, ata fitojnë edhe këtë, me ato që fitojnë nga tatimi mbi të ardhurat, rrinë me qera, marrin këtë. Pra, janë shumë, shumë të favorizuar. Ata janë të privilegjuar. Dhe në raport me pensionistët tanë, pensionistët tanë, ata privilegjohen, këta poshtërohen e poshtërohen deri në fund.

Nuk ka poshtërim më të madh që mund të, mund t'i jetë bërë në të gjitha vendet e BE-së dhe jashtë BE-së. Në Europë, ta them sinqerisht, neve zënë vendin e fundit për pensionet. Dhe se si do të shkojmë neve në BE, për probleme sociale... Nuk është e thënë se ne do të fitojmë nga BE-ja. Në fazën e parë ne mund të marrim dhe goditje shumë, shumë të rënda. Prandaj duhen marrë masat paraprake. Po si mund të, si mund të shkojmë neve me një pensionist në BE, kur pensioni mesatar shqiptar është sa 9% e pensionit mesatar të BE-së?