‘Santiago Bernabeu’, minierë parash, stadiumi siguron një të tretën e të ardhurave të Real Madridit
Stadiumi Santiago Bernabeu është një burim i jashtëzakonshëm të ardhurash për Real Madrid, duke siguruar pothuajse një të tretën e të ardhurave të klubit për këtë sezon, që pritet të arrijnë 1,25 miliardë euro. Sipas gazetës spanjolle AS, edhe pse rikonstruksioni i fundit i stadiumit ka kushtuar rreth 1,7 miliardë euro, investimi po fillon të japë rezultate, me shifra që janë ëndërr për shumë klube italiane.
Vetëm sezonin e kaluar, nga aktivitetet komerciale brenda stadiumit, Real Madrid përfitoi 79 milionë euro:
- 52 milionë nga ‘tour’-e të udhëhequra,
- 15 milionë nga evente dhe koncerte,
- Mbi 10 milionë nga restorantet.
Për këtë sezon, pritet që të ardhurat nga ‘tour’-et të rriten me 31%, duke tejkaluar edhe muzeun e Prado-s, një nga destinacionet më të vizituara në Madrid, që në vitin 2023 arkëtoi 27 milionë euro nga biletat e hyrjes.
Përveç turizmit, pritet rritje e të ardhurave edhe nga shërbimet ushqimore dhe organizimi i eventeve ndërkombëtare, ndërsa po përparojnë punimet për izolimin akustik, që do të mundësojnë rikthimin e koncerteve në stadium.
Në total, Santiago Bernabeu konfirmohet si një nga asetet më të vlefshme komerciale të futbollit europian, duke siguruar të ardhura të qëndrueshme dhe duke e bërë Real Madrid një shembull të menaxhimit financiar.