Dosja 'Balluku'/ Nga presioni për firmat te 300 apartamentet, Blushi: Qeverisemi nga një grup i strukturuar kriminal
Në qendër të vëmendjes së fundmi është dosja e ish-ministres Belinda Balluku. Një vartëse e saj, Mirzeta Karshnica, anëtare e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka denoncuar se ndaj saj është ushtruar trysni nga ish-drejtori i ARSH-së, Evis Berberi, dhe nga vetë Balluku për të firmosur dokumente. Kjo aferë thellon dyshimet mbi keqpërdorimin e detyrës në nivelet më të larta. Ndërkohë, ish-ministrja zotëron rreth 300 apartamente, një pasuri e pajustifikueshme në kontrast të thellë me realitetin e të rinjve shqiptarë, për të cilët blerja e një banese është bërë e pamundur për shkak të çmimeve stratosferike.I ftuar në edicionin e lajmeve, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, theksoi se Shqipëria sot nuk qeveriset nga një qeveri legjitime, por nga një grup i strukturuar kriminal, që sipas tij ka kapur çdo institucion të shtetit për të vjedhur dhe zhvatë financat publike.
Blushi u ndal te aferat e rënda të inceneratorëve, dosja “Balluku” dhe skandali i përgjimeve të AKSH-it, të cilat, sipas tij, faktojnë korrupsionin sistemik dhe pasurimin e paligjshëm të zyrtarëve të lartë, në kontrast të thellë me varfërimin e shqiptarëve.
Ai ngriti alarmin për cenimin e sigurisë kombëtare, zhdukjen e fondeve IPARD dhe për një bum ndërtimi që, sipas tij, shërben si lavatriçe e pastrimit të parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Pjesë nga deklarata:
Në fakt, është një sekt antifamilje, antiatdhe dhe antizot, i cili në këto gati 13 vite keqqeverisjeje ka bërë gjithçka për ta shkatërruar Shqipërinë, duke nisur në radhë të parë nga financat e popullit më të varfër të Europës. Edhe sot, në momentin që flasim, kjo keqqeverisje vijon çdo ditë duke vjedhur dhe duke futur duart në xhepat e shqiptarëve.
Mjafton të rikujtojmë vetëm dy afera që vazhdojnë ende sot e kësaj dite: aferën e inceneratorit fantazmë të Tiranës, e cila u kushton shqiptarëve 90 mijë euro në ditë, si edhe aferën e dy anijeve lundruese nga Bangladeshi, që kushtojnë të paktën 95 mijë euro në ditë, edhe pse nuk kanë prodhuar kurrë as 1 kW energji.
Në fakt, të gjitha këto dosje, pavarësisht emrave që mbartin si dosja Balluku apo dosja e AKSHI-t, që në realitet është dosja e Linda Ramës janë dosje të Edi Ramës. Askush nuk duhet të ketë iluzione se dikush në këtë qeveri mund të hajë kumbulla apo dardha pas shpinës së Edi Ramës.
Imagjinoni që një pastruese në shtëpinë e një ish-zyrtari të lartë apo ish-bashkëpunëtori të ngushtë të Edi Ramës është kapur me 500 mijë euro. Imagjinoni sa kanë vjedhur këta bashkëhajdutë të Edi Ramës, sigurisht për llogari të tij, por edhe për xhepat e tyre personalë.
Mos harrojmë se sot jetojmë në një vend ku një çifti të ri i duhen 70 deri në 80 vite punë për të blerë një shtëpi, dhe ku rreth 85–90% e të rinjve shqiptarë e kanë të pamundur të blejnë një apartament me çmimet që kanë shkuar në qiell, pa përmendur edhe çmimet stratosferike të qirave. Ndërkohë, numri dy i qeverisë, e cila ende vijon në detyrë Belinda Balluku ka sot në pronësi të paktën 300 apartamente, pa llogaritur sa apartamente ka Edi Rama.
Kjo shpjegon qartë pse çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele stratosferike dhe pse ka shpërthyer një bum ndërtimi, kryesisht në kryeqytet, i cili nuk është gjë tjetër veçse një lavatriçe gjigante për pastrimin e parave të pista të krimit dhe korrupsionit.
Aferat Balluku dhe AKSHI, pra aferat e Edi Ramës, ku në njërën është bashkëpunëtori i tij më i afërt dhe në tjetrën është familja e tij personale, konfirmuan denoncimet e drejta të opozitës dhe nxorën në dritë faktin se sot vendi nuk qeveriset nga një qeveri legjitime, por nga një grup i strukturuar kriminal, i cili ka pushtuar çdo zyrë shteti, çdo zyrë kadastrale, çdo komisariat policie, deri aty sa ka vënë nën kontroll thesarin e shtetit, sistemin TIMS dhe, rrjedhimisht, ka cenuar sigurinë kombëtare.
Dosja e AKSHI-t konfirmoi se si koordinatori famëkeq i Edi Ramës, Ergys Agasi, kishte dubluar të dhëna sensitive të shtetit që lidhen me thesarin, TIMS-in, sigurinë kombëtare dhe pronat e shqiptarëve, të cilat sot janë të përqendruara në një dorë të vetme.
Ndaj nuk habitem me “të penduarën” e radhës, drejtoreshën e kabinetit të Belinda Ballukut. Megjithatë, askush nuk duhet të ketë iluzionin se edhe arrestimi i Belinda Ballukut i cili është shumë i vonuar — do ta zgjidhë problemin.
Mjafton t’u kujtojmë shqiptarëve faktin se koordinatori famoz Ergys Agasi, praktikisht i zhdukur, arriti të zhdukte edhe kantinën e verave të Edi Ramës, të denoncuar një vit e gjysmë më parë nga ish-krahu i tij i djathtë, Arben Ahmetaj. Imagjinoni çfarë po ndodh sot me provat dhe gjurmët e korrupsionit në zyrat e shtetit, ndërkohë që Belinda Balluku vazhdon të jetë numri dy i qeverisë dhe shqiptarët, edhe pse të vjedhur, vazhdojnë t’i paguajnë eskortën, sigurinë personale dhe lëvizjet me karburant nga taksat e tyre.
Pabesia dhe zhvatja ndaj popullit më të varfër të Europës vazhdon ende sot. Vitin e ardhshëm shqiptarët do të garantojnë buxhetin më të madh në historinë e vendit, por 70% e fondeve do të alokohen në Ministrinë e Infrastrukturës, e cila shpik projekte me kosto të fryra, duke i rritur ato gjashtë apo shtatëfish, sepse Edi Rama ka zgjedhur infrastrukturën si mekanizëm për zhvatjen kriminale të taksave të shqiptarëve.
Ndërkohë, një shishe verë që Edi Rama konsumon kushton 33 mijë euro sa 15 vite pension mesatar. Pensionistët, të përdorur si retorikë propagandistike, do të përfitojnë vetëm 60 lekë në ditë në qytet dhe 20 lekë në fshat.
Sa i përket bujqësisë, u fol për banka zhvillimi dhe mbështetje për fermerët, por Edi Rama harroi të japë përgjigjen kryesore: ku përfunduan fondet e IPARD-it dhe pse për të tretin vit radhazi fermerët shqiptarë nuk do të përfitojnë 122 milionë euro? Shqipëria është precedent unik në Europë, sepse pas dy vitesh ende nuk ka një përgjigje zyrtare se kush i vodhi të paktën 33 milionë euro fonde të BE-së që kërkohen të kthehen mbrapsht.
E gjithë kjo tregon pafytyrësinë dhe paturpësinë e një qeverie që, edhe pse vjedh fermerët dhe i nënfinancon ata, refuzoi amendamentin e Partisë së Lirisë për një shtesë prej të paktën 16 miliardë lekësh subvencione të drejtpërdrejta për bujqësinë.