Në vitin 2025, dëshira e francezëve për t'u larguar nga vendi është në nivelin më të lartë historik
Besimi i francezëve në institucionet shtetërore ka pësuar një rënie të mprehtë këtë vit, ndërsa dëshira për t’u larguar përgjithmonë nga vendi ka shënuar rritjen më të madhe në gati dy dekada, sipas një studimi të Gallup të publikuar të hënën.
Sondazhi tregon se 27% e të rriturve në Francë do të dëshironin të emigronin nëse do të kishin mundësi, nga vetëm 11% një vit më parë. Kjo rritje, e cilësuar si “spektakolare” nga Gallup, vjen në një kontekst paqëndrueshmërie politike, pesimizmi ekonomik dhe rënieje të theksuar të besimit në qeveri, sistemin gjyqësor dhe institucionet financiare.
Besimi në qeverinë kombëtare ka rënë në 29%, 13 pikë më pak se vitin e kaluar, ndërsa besimi në drejtësi dhe institucionet financiare ka pësuar gjithashtu rënie të ndjeshme. Sipas Gallup, asnjë vend tjetër i BE-së nuk ka regjistruar një përkeqësim kaq të madh të këtyre treguesve në vitin 2025.
Dëshmitë e mbledhura nga Euronews pasqyrojnë këtë klimë të zymtë. Julien, një sipërmarrës restorantesh, u largua nga Parisi në dhjetor për t’u vendosur në Tbilisi. Ai thotë se u përball me rënie të klientelës, barrë të lartë tatimore dhe mungesë perspektive për biznesin në Francë. “Atmosfera është shumë e keqe në përgjithësi,” shprehet ai.
Antoine, një inxhinier që punon në sektorin e luksit në Paris, thotë se ndonëse e adhuron qytetin e tij, ndjen gjithnjë e më shumë dëshirën për t’u larguar. Ai përmend tensionet shoqërore, vështirësitë për të blerë një shtëpi dhe një klimë që, sipas tij, është bërë më pak mikpritëse.
Paqarësia politike ka luajtur një rol kyç. Që nga shpërbërja e parlamentit në qershor 2024, Franca ka përjetuar paralizë institucionale, me qeveri të njëpasnjëshme pa shumicë të qëndrueshme. Popullariteti i presidentit Emmanuel Macron ka rënë në 28% në vitin 2025, niveli më i ulët i regjistruar gjatë mandateve të tij.
Në planin ekonomik, 67% e francezëve besojnë se situata e tyre po përkeqësohet, duke e renditur Francën ndër vendet më pesimiste të OECD-së. Kjo ka shtyrë shumë qytetarë të kërkojnë mundësi jashtë vendit, veçanërisht të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar.
Megjithatë, jo të gjithë ndajnë të njëjtin qëndrim. Disa emigrantë janë kthyer në Francë, duke theksuar avantazhe si pushimet më të gjata, koston relativisht më të përballueshme të jetesës dhe cilësinë e jetës. “Franca nuk është perfekte, por nuk jemi aq keq sa thuhet,” shprehet një çift që u kthye nga Kanadaja.
Sipas Gallup, lidhja mes mosbesimit institucional dhe dëshirës për emigrim është e qartë: gati gjysma e atyre që kanë pak ose aspak besim tek institucionet duan të largohen nga vendi. Me përfundimin e mandatit të dytë të Macron në vitin 2027, sfida kryesore për udhëheqjen e ardhshme do të jetë rindërtimi i besimit publik, i cili duket më i brishtë se kurrë./ Euronews