Vota e diasporës që vjen për festat në Kosovë, Sahiti: Albin Kurti mund të marrë 54-55 deputetë
Caktimi i datës së zgjedhjeve pikërisht në prag të festave të fundvitit shihet si një lëvizje strategjike e llogaritur nga ana e Albin Kurtit. Kjo taktikë synon të mobilizojë një nga bastionet më të fuqishme elektorale të tij: diasporën kosovare. Me ardhjen masive të emigrantëve për të festuar Vitin e Ri pranë familjeve, kutitë e votimit pritet të mbushen jo vetëm për arsye festive, por edhe politike.
Gazetari i Syri tv, Gazmend Sahiti gjatë një intervistë në edicionin e mesditës tha se “historikisht, një pjesë e konsiderueshme e votave nga diaspora, që vlerësohet të jetë rreth 70-80% në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, shpeshherë ka humbur ose është sfumuar për shkak të parregullsive dhe vështirësive të votimit me postë”. “Duke i sjellë votuesit fizikisht në Kosovë, kjo strategji siguron që këto vota të jenë të sakta dhe të numërohen pa probleme, duke shmangur çdo pengesë burokratike që mund të ketë ndodhur në zgjedhjet e kaluara”.
Gjatë bisedës me moderatorin Arnold Kariqi, Sahiti tha se “shifrat e fundit tregojnë një fluks të jashtëzakonshëm, me mbi 140,000 qytetarë që kanë hyrë në Kosovë vetëm në 10 ditët e fundit. Ky numër përbën një potencial të madh elektoral që mund të ndryshojë balancat e fuqisë”. “Edhe nëse një pjesë e tyre janë fëmijë pa të drejtë vote, sërish mbetet një bllok votues masiv që i shtohet llogarive të Kurtit dhe mund të jetë vendimtar për rezultatin përfundimtar”.
Përtej votës direkte, ndikimi i diasporës shtrihet edhe tek familjarët e tyre që jetojnë në Kosovë. Prania e emigrantëve dhe fjala e tyre ka një peshë të madhe brenda familjeve, shumë prej të cilave janë të varura ekonomikisht nga të afërmit jashtë vendit. Ky ndikim mund të shërbejë për të bindur edhe votuesit e pavendosur, apo ata të "zonës gri", që mund të kenë qenë të pakënaqur me qeverisjen, për t'i dhënë sërish mbështetjen Kurtit.
Nëse kjo strategji rezulton e suksesshme, parashikimet sugjerojnë se Albin Kurti mund të sigurojë një fitore të thellë, duke arritur në 54 ose 55 deputetë. Një rezultat i tillë jo vetëm që do t'i mundësonte formimin e qeverisë së re në koalicion me partitë e pakicave, por do të zgjidhte përfundimisht ngërçin politik që ka pllakosur vendin. Për më tepër, një shumicë e qëndrueshme parlamentare do t'i hapte rrugën edhe zgjedhjes së presidentit të ri në pranverë, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë paqëndrueshmërie institucionale.
Gazmend Sahiti: Ajo që shihet gjatë fushatës zgjedhore, është taktika e përdorur nga ana e Albin Kurtit për të çuar zgjedhjet pikërisht në dy ditë ose tre ditë mund të themi para Vitit të Ri.
Kjo taktikë e përdorur ka sjellë thuajse një përqindje shumë të lartë të emigrantëve të cilët jetojnë në vendet e tjera të Evropës dhe të botës, i ka sjellë në Kosovë më shumë ndoshta për të festuar por edhe për të votuar. Dihet që një pjesë shumë të konsiderueshme të votave të Albin Kurtit janë nga emigrimi dhe ato vota të cilat ndoshta më herët kanë, janë skarcuar se janë sfumuar për shkak të parregullsive që mund të kenë ndodhur nga posta, nga veprimet e tyre, nga pamundësia për ta ditur se si të votonin. Këto vota tashmë do të jenë të sakta dhe do të jenë pikërisht brenda Kosovës dhe nuk do të ketë nevojë që ato të priten në kohë për t'u transportuar nga vendet e tjera.
Arnold Kariqi: Pasi do të jenë këtu për festa dhe normalisht do të votojnë.
Gazmend Sahiti: Po, natyrisht dhe kjo, përveç të tjerash, këta emigrantë të cilët jetojnë jashtë Kosovës, ku pjesa më e madhe e tyre mund të themi se 70, 80% e tyre votojnë për Albin Kurtin, se e kemi parë edhe në zgjedhjet e kaluara. Tashmë, kjo 70%-shja e këtyre personave që vetëm nga, për 10 ditët e fundit ka një informacion që ka hyrë në Kosovë mbi 140.000 qytetarë dhe kjo, kjo nuk është një shifër goxha, nuk është shifër e vogël, sepse Albin Kurti insistonte ato 500.000 votat. Dhe në qoftë se do të jetë që 100.000 vota nga këto emigrantë, nuk po ta quajmë atë 40-shën sepse janë pjesa e fëmijëve që nuk votojnë, por kjo 100-shja tjetër ngre goxha peshë. Në qoftë se do të votonin të gjithë ata për Albin Kurtin. Ndoshta edhe nuk do të votonin për Albin Kurtin, por 80.000 prej tyre...
Absolutisht, është një shumicë e konsiderueshme. Por ka dhe një ndikim tjetër nga ana e emigrantëve. Ata qytetarë të Kosovës që jetojnë brenda në Kosovë, do të kenë edhe një ndikim nga personat që vijnë nga jashtë shtetit. Sepse familjarët e tyre, në qoftë se deri sot kanë parë veprime të cilat nuk ju kanë pëlqyer me qeverisjen e Albin Kurtit dhe kanë ndërruar mendim, kanë dalë në atë shoqërinë gri po ta quajmë, në atë votën gri. Me ardhjen e emigrantëve edhe kjo vota gri e këtyre personave mund të kthehet në një votë po për Albinin. Për faktin se...
Arnold Kariqi Pra ata që kanë zgjedhur të mos shkojnë, mbase...
Gazmend Sahiti: Po, po. Dhe ardhja e emigrantëve do t'ia imponojë sepse ne kemi një gjë, familjarët tanë që vijnë nga emigrimi, se edhe unë jam nga familja emigranti, normalisht babën tim e kam pasur emigrant në Austri për vite të tëra, dhe në momentin kur vijnë nga jashtë, kanë një impakt jashtëzakonshëm në Kosovë. Sepse fjala e tyre ecën goxha. Duke pasur parasysh që një pjesë e emigrantëve mbajnë edhe familjet e tyre këtu në Kosovë që jetojnë.
Natyrisht. Dhe kjo pjesë në momentin kur vijnë ata, t'ia u kërkojnë këtyre familjarëve që të votojnë për Albinin, natyrisht që edhe kjo do të ngrejë goxha peshë për të shkuar dhe për të votuar dhe për të arritur përqindjen e Albin Kurtit. Dhe unë mendoj që kjo gjë do të jetë goxha vendimtare. Herën e kaluar Albin Kurti mori 48 deputetë. Dhe në këto zgjedhje, pra në zgjedhjet e 28 dhjetorit, mendoj që kjo shifër do të rritet dhe mund të shkojë mbi 54 ose 55 deputetë.
Arnold Kariqi: Që do të krijonte qeverinë.
Gazmend Sahiti: Absolutisht do të krijonte qeverinë sepse edhe me pakicat normalisht që kalon 61 deputetë dhe kjo gjë pastaj, besoj që do ta zgjidhte ngërçin politik, sepse e kishim edhe në strishën tonë atje që a zgjidhet, a zgjidhet ngërçi politik në Kosovë? Natyrisht që do të zgjidhet ngërçi politik. Në qoftë se shkojmë me këtë trend. Por ky trend nuk është vetëm tek zgjedhja, zgjidhja e konfliktit ose e gjithë asaj, asaj pauze shtetërore në Kosovë. Kjo gjë do zgjidhi edhe zgjedhjen e presidentit. Zgjedhjen e presidentit e kemi në mars-prill, në muajin prill dhe normalisht në muajin prill, normalisht në qoftë se shkohet me këtë lloj trendi të këtyre zgjedhjeve që të marri 55, 54-55 deputetë, janë edhe pjesa e pakicave, automatikisht zgjidhet edhe presidenti i ri, që me shumë gjasë mund të rikandidojë…