Mbreti Çarls i Britanisë kujton nënën e ndjerë Mbretëreshën Elizabeth II në fjalimin e parë të Krishtlindjeve
Mbreti Charles III i Britanisë evokoi kujtime të nënës së tij të ndjerë, Mbretëreshës Elizabeth II, gjatë fjalimit të tij të parë të Krishtlindjeve si monark, në një fjalim në të cilin ai i bëri homazh edhe përkushtimit vetëmohues të punonjësve të sektorit publik të Britanisë.
Charles (74), në një mesazh të pararegjistruar, shprehu gjithashtu keqardhje për njerëzit që përpiqen të sigurojnë jetesën "në një kohë pasigurie dhe vështirësish të mëdha", raporton AP.
"Krishtlindjet janë një kohë veçanërisht emocionuese për të gjithë ne që kemi humbur të dashurit tanë. Ne e ndiejmë mungesën e tyre në çdo moment të njohur të sezonit festiv dhe i kujtojmë ata në çdo traditë të çmuar", tha Mbreti Çarls i Britanisë.Ai veshi një kostum blu të errët gjatë fjalimit të tij televiziv për Krishtlindje. Ndryshe nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth, e cila shpesh ulej në një tavolinë ndërsa mbante fjalimin e saj vjetor, Mbreti Charles qëndroi pranë pemës së Krishtlindjeve në Kapelën e Shën Gjergjit, kishën në kompleksin e Kështjellës Windsor ku janë varrosur nëna dhe babai i tij, Princi Philip.
Mbreti Çarls i Britanisë tha se ndan me nënën e tij "një besim në aftësinë e jashtëzakonshme të çdo personi për të ndikuar në jetën e të tjerëve përmes mirësisë dhe dhembshurisë së tyre dhe për të sjellë dritë në botën përreth tyre".
"Ne mund ta shohim thelbin e komunitetit tonë dhe vetë themelin e shoqërisë sonë te punonjësit e shëndetësisë dhe ata socialë, mësuesit dhe në fakt të gjithë ata që punojnë në sektorin publik, aftësitë dhe përkushtimi i të cilëve formojnë thelbin e komuniteteve tona", tha mbreti britanik.
Duke folur përkrah videove nga menytë e të varfërve dhe përpjekjeve të tjera bamirëse, Mbreti Çarls i Britanisë shprehu ngushëllimet e tij për ata që janë në shtëpi që kërkojnë mënyra për të paguar faturat dhe për të ushqyer e ngrohur familjet e tyre.
Mbreti britanik iu drejtua gjithashtu njerëzve të besimeve të tjera në Britani dhe në të gjithë Komonuelthin Britanik, duke theksuar se kuptimi i lindjes së Jezu Krishtit tejkalon kufijtë e besimit dhe bindjes.
Çarlsi beson se monarkia mund të ndihmojë në bashkimin e grupeve etnike dhe fetare gjithnjë e më të larmishme të vendit, pjesë e përpjekjes së tij për të treguar se institucioni ka ende rëndësi. Mesazhi gjashtëminutësh përfundoi me një lutje për të ndjekur "dritën e përjetshme", të cilën ai tha se ishte një aspekt kyç i besimit të Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth në Zot dhe besimit tek njerëzit.
"Pavarësisht besimit tuaj, ose nëse nuk keni asnjë, unë besoj se në këtë dritë jetëdhënëse dhe nëpërmjet përulësisë së vërtetë në shërbim të të tjerëve, ne mund të gjejmë shpresë për të ardhmen", tha ai.
Mbreti Çarls i Britanisë nuk është ndalur në polemikat e fundit rreth një seriali dokumentar të Netflix-it rreth mosmarrëveshjeve brenda familjes mbretërore.
Videot që shoqëruan mesazhin e Krishtlindjeve treguan anëtarë të familjes mbretërore në ngjarje zyrtare.
Harry dhe Meghan nuk u shfaqën, as Princi Andrew, të cilit iu hoqën titujt ushtarakë nderi dhe u largua nga pozicioni i tij si anëtar aktiv i familjes mbretërore për shkak të miqësisë së tij me të ndjerin amerikan të krimit seksual, Jeffrey Epstein.
Mbreti britanik dhe bashkëshortja e tij, Mbretëresha Kamila, udhëhoqën anëtarët e familjes në shërbesën në Kishën e Shën Marisë Magdalenë. Midis tyre ishin Princi Uilliam, djali më i madh dhe trashëgimtar i fronit, bashkëshortja e tij Kate dhe tre fëmijët e tyre - Princi Xhorxh (9), Princesha Sharlotë (7) dhe Princi Luis (4).