Mbishkrimi në zemër të Nju Jorkut: 'Jezusi është palestinez' shfaqet në Times Square

Një tabelë ndriçuese me mbishkrimin “Jezusi është palestinez” është shfaqur së fundmi në Times Square, një nga zonat më të frekuentuara të Nju Jorkut, duke ngjallur reagime të shumta nga publiku. Mesazhi, i shkruar me shkronja të zeza mbi sfond jeshil, shoqërohet në anën tjetër me urimin “Gëzuar Krishtlindjet”.

Sipas raportimit të New York Post, tabela është financuar nga Shoqata Amerikano-Arabe Kundër Diskriminimit (ADC) dhe ka nxitur kryesisht komente kritike nga kalimtarët, edhe pse nuk kanë munguar as reagimet mbështetëse.

Drejtori ekzekutiv kombëtar i ADC, Adeb Ayoub, ka sqaruar se organizata jofitimprurëse po merr me qira hapësira reklamuese në Times Square që nga fillimi i këtij viti. Mesazhet, sipas tij, ndryshojnë çdo javë dhe janë pjesë e një fushate më të gjerë me temën “America First”.

Ayoub thekson se qëllimi i fushatës është të nxisë reflektim dhe dialog, duke vënë në pah ngjashmëritë kulturore dhe fetare mes komuniteteve arabe, myslimane dhe të krishtera në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht gjatë periudhës me fluksin më të madh të vizitorëve në Nju Jork.

“Ka shumë më tepër gjëra që na bashkojnë sesa që na ndajnë”, është shprehur ai, duke shtuar se ekziston frikë dhe keqkuptim rreth kulturës dhe besimeve të përbashkëta. Sipas Ayoub, Palestina konsiderohet vendlindja e krishterimit dhe mesazhi synon të nxisë debat publik.

I pyetur nëse tabela mohon faktin historik se Jezusi ishte hebre, Ayoub ka deklaruar se çështja është e hapur për interpretim dhe se “Jezusi jeton në secilin prej nesh”.

Ndërkohë, ADC ka vendosur këtë javë një tjetër tabelë në Times Square me mesazhin: “Jezusi do të thoshte: ‘Rrëzojeni atë mur’”, ndërsa një tjetër reklamë publike pritet të shfaqet në natën e Vitit të Ri.