A po tallet diktatori? Nëndetësja gjigante e Kim Jong-Un është prej plasteline

Nga Karen von Guttenberg, BILD

Çfarë mashtrimi i madh!

Kim Jong-un është sërish në lëvizje. Këtë herë diktatori i Koresë së Veriut po inspekton ecurinë e ndërtimit të nëndetëses së tij të parë bërthamore.

Një përbindësh i tillë i duhet urgjentisht, sepse gjatë vizitës së tij spektakolare ai foli edhe një herë për një “situatë negative të sigurisë”, e cila – si gjithmonë – vjen nga SHBA-të dhe Koreja e Jugut.

Dhe pikërisht kjo situatë qenka fajtore dhe e bën “detyrë urgjente dhe opsion të pazëvendësueshëm” përshpejtimin e “armatosjes bërthamore të forcave detare”.

Duhet theksuar se një nëndetëse bërthamore kushton disa miliarda euro. Sa ushqim do të mund të blihej me këto para për popullsinë e uritur të Koresë së Veriut?

Gjithçka mund të jetë reale, por megjithatë duket sikur është vetëm një lodër.

Nëndetësja e kuqe flakë e Kim duket sikur është prej gome ose plasteline: e lëmuar bukur, pa asnjë saldim të dukshëm, dhe në pjesën e përparme duket sikur dikush ka shtypur një gotë për të bërë rrathë perfektë.

Por ndoshta kjo lodër ushtarake ende e papërfunduar nuk është lyer apo lustruar ende, ose thjesht ka një shtresë kundër ndryshkut.

Sundimtari absolut i Koresë së Veriut vizitoi edhe një objekt tjetër. Sipas agjencisë së tij propagandistike KCNA, ai u informua për kërkimet në vazhdim mbi “armë të reja sekrete nënujore” dhe ishte i pranishëm në një test të “raketave të reja kundërajrore me fluturim të lartë”, të cilat goditën me saktësi objektivat e rremë në një lartësi prej 200 kilometrash. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, Kim praktikisht do të arrinte deri në hapësirë.

Një nëndetëse dhe raketa që shpërthejnë – çfarë mund të ketë më të bukur për diktatorin sesa ta kalojë Natën e Krishtlindjes mes fishekzjarreve të tij? Ndërsa përgjegjësve për këto projekte me siguri u janë dridhur gjunjët, derisa panë fytyrën e kënaqur të Kim-it. Sepse përndryshe, ndoshta në testin e radhës do të dërgoheshin edhe ata drejt hapësirës – të lidhur përpara raketës…