‘Regjim hajdutësh’/ Malltezi: Kushdo opozitar me Edi Ramën është qëlluar nga frengjia e Carlo Bolinos

Biznesmeni italian Carlo Bolino është vënë në qendër të një sërë akuzash të rënda, duke u cilësuar si një “pusetë e degjeneruar kanalizimesh” ku shfaqet emri i tij sa herë bëhet fjalë për skandale korruptive. Denoncimet publike e lidhin atë me afera të shumta, nga inceneratorët e deri te përvetësimi i pronave publike dhe private përmes favorizimit nga qeveria.

I ftuar në KAFE SHQETO SYRI TV me Flavio Qarrin, Jamarbër Malltezi, drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD dhe njëherazi trashëgimtari i familjes ‘Begeja’ dhe pronari i tokës ku është ndërtuar në mënyrë të paligjshme televizioni Report TV, ku sipas tij, emri i Carlo Bolinos është i pranishëm në dosjet korruptive më të bujshme të viteve të fundit.

Sipas denoncimeve publike, Bolino pretendohet se ka kërkuar përfitime financiare në aferën e inceneratorëve, është përfshirë në “punë të pista” tek Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si dhe ka përfituar nga ndarja e fondeve publike pa tendera në kontrata të lidhura me ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Një tjetër skemë e denoncuar është ajo e Bunk'Art, ku vizitat e detyrueshme të nxënësve të shkollave, të urdhëruara nga bashkia, shërbejnë për të transferuar fonde publike në llogarinë e biznesmenit, në vend që të shkojnë në buxhetin e shtetit.

Malltezi theksoi se lidhja mes Bolinos dhe kryeministrit Edi Rama përshkruhet si një marrëdhënie ku ky i fundit vepron si një “Babo Natale” (Babagjyshi i Vitit të Ri), duke i falur pasuri publike dhe në këmbim, mediat në pronësi të biznesmenit italian funksionojnë si një instrument sulmi ndaj opozitës dhe çdo zëri kritik ndaj qeverisë.

Si provë për këtë marrëdhënie klienteliste, përmendet një përgjim ku ish-ministrja Balluku dëgjohet t’i thotë një drejtori se i ka lënë dorë të lirë për t’i dhënë “qindra milionë lekë” Carlo Bolinos.

Bolino akuzohet se ka “vjedhur” një pronë të një prej familjeve themeluese të Tiranës, duke e marrë atë për vetëm 1 euro nga qeveria, pasi kishte dështuar më herët ta merrte me qira nga bashkia për 6,000 euro në muaj, shumë e cila iu duk “e lartë”.

I gjithë procesi i dhënies së pronës dyshohet se është kryer pa asnjë procedurë tenderimi. Në mënyrë të pashpjegueshme, në dokumentet e pronësisë së kësaj familjeje, Bolino rezulton të zotërojë një sipërfaqe prej 1500 metrash katrorë, më shumë se vetë trashëgimtarët e ligjshëm, çka ka ngritur dyshime të forta për falsifikim dhe manipulim.

Intervista në studio:

Malltezi: E vërteta është më e madhe se kushdo tjetër. Kështu që nuk ta ndjen përballja me askënd tjetër. Fakti që ato nuk dalin, fakti që nuk tregojnë që fshihen, që nuk flasin para mediave, para opinionit, tregon që kanë gjëra për të fshehur. Për fat të keq, Carlo Bolino është një pusetë e degjeneruar kanalizimesh, domethënë që kudo ku ke një skandal del Carlo Bolino. Domethënë, te inceneratorët dilte Carlo Bolino, duke kërkuar para më tepër.

Me qenë se ishte vit zgjedhor, hajde të vjedhim më tepër meqënëse po lëpijmë më fort. Tek Belinda Balluku, te vjedhja, tuneli e të gjitha me radhë, te tendera, pa tendera, ndarje parash pa tendera, sikur të ishin pronë të babës, del Carlo Bolino. Del tek punët e AKSH-it, punët e pista të AKSH-it, del Carlo Bolino. Te vjedhja e bunkerëve që janë kontribut i gjithë taksapaguesve shqiptarë. Pse duhet t'i merrte Carlo Bolino? Çfarë fitojmë neve si shoqëri? Pse Carlo Bolino shton, shton para? Pra te Bunk'Art i çojnë me detyrim, bashkia, të gjithë ta vizitojnë.

Të gjithë, të gjithë paratë shkojnë në xhepin e Carlo Bolinos. Po ç'qenka ky leçian që na vika dhe na vjedhka neve në Tiranë këtu? Po ka shkuar ndonjë Tiranë t'i falin toka, t'i falin objekte, t'i falin bunker, t'i falin pika strategjike turistike në Lezhë? Asnjë. Pra, për Carlo Bolinon, Edi Rama është bërë si ‘Babo Natale’. Dhe natyrisht që Carlo Bolino e lëpinë nga mëngjesi deri në darkë këtë. Por është përfshirë në afera nga më seriozet, në afera shumë, shumë të rënda.

Qarri: Maltezi, sa vite ka që Bolino qëllon drejt jush?

Malltezi: Ka shumë vite, por e fundit ka qenë e bukur kur po vidhte tokën. Po unë këtë po ta them me plot kuptimin e fjalës, kur po vidhte tokën dhe repartin e OR-ve, në 2020-ën ka bërë emision plot me gënjeshtra ndaj meje. Por para kësaj, juve ju ka shpëtuar një gjë, që Bolino kishte dy vjet në mbledhje të Këshillit Bashkiak që e kërkonte atë pronë. Pra, këtu nuk ke tender. Dhe SPAK-u po mbyll sytë, po mbyll veshët, bën sikur s'kupton. Nuk ke tender për marrjen e asaj objekti, sepse kishte dy vjet e kishte çuar në mbledhje të Këshillit Bashkiak. Dhe ka këshilltarë bashkiakë, që nga Enka Sallaku, që ka qenë e me të gjithë me radhë, që na e tregonin. Mirëpo pastaj u tërhoq nga marrja me qira nga bashkia, sepse i dilte e lartë. E tha, pse të paguaj unë kaq shumë para? I binte, mos gaboj, i binte kjo shuma rreth 6.000 euro në muaj. Kështu që ky zgjodhi variantin që ta merrte me 1 euro nga Edi Rama. Por, në këtë moment, në 2020-ën, kur po e merrte, ka bërë një emision me mashtrime. E bukura është që mua më ndihmoi shumë sepse mora vesh këto tentativat që kishin pasur italianët për zgjerimin e aeroportit. Duke qenë se prona jonë e pesë fiseve të Tiranës, themelues të Tiranës, është marrë, ëh, është vlerësuar qysh në '95, '96-ën. I është dhënë e drejta e parablerjes, i është njohur dhe pjesërisht kthyer qysh në atë kohë, para 30 vitesh. Natyrisht, unë s'isha marrë fare me këtë se në atë kohë kam qenë student, kam qenë jashtë shtetit. Është marrë gjyshja, është marrë motra e gjyshes, vëllai i gjyshes, ato njerëz që kanë qenë gjallë para 30 vitesh. Mirëpo kur ky del dhe cënon edhe sigurinë juridike e të gjitha me radhë, mu desh t'i shikoja unë. Dhe i kam parë me shumë imtësi dhe kam parë që te prona e stërgjyshit tim, 1500 metra ka Carlo Bolino. Ka më tepër se unë, ka më tepër se kushdo tjetër. Pra, Carlo Bolino del sikur të jetë direkt ‘kopili’ i stërgjyshit. Se unë jam stërnip dhe unë kam 1/64-ën. Carlo del sikur të ketë 1/5-ën. Një hajdut ordiner domethënë komplet.

Qarri: Zoti Maltezi, ajo me të cilën duhet të merremi në fakt janë aferat e kohës tonë. A është kjo pagesë për Carlo Bolinon për mënyrën se si mediat pranë Ramës kanë punuar, qoftë edhe duke sulmuar opozitën, se nuk e kanë vetëm për ju se është sulmuar kushdo besoj.

Malltezi: Kushdo që ka qenë në opozitë me Edi Ramën, është qëlluar nga frengjia e Carlo Bolinos dhe të përngjashmëve të tij. Po të kemi parasysh, Belinda Balluku e thotë vetë, tull fare nëpër përgjime, që unë ty të kam lënë të matarosh, pra t'i japësh qindra milionë lekë Carlo Bolinos. Dhe ja thotë direkt drejtorit të rrugëve. Të tjerët, thotë, matarojnë të tjerët. Pra në këtë vend bën bëmbingo të gjesh me pikatore media që janë vërtet të lira. Për fat të keq, Carlo Bolino është shembulli më i rëndë i korrupsionit në media. I blerjes së mediave në mënyrë që të prodhojnë lajme të rreme dhe të mbështesin një, një, një regjim hajdutësh. Regjimi i hajdutëve i jep pastaj kafshatën.