Trukim ndeshjesh, tenisti 21-vjeçar merr dënim shembullor
Agjencia Ndërkombëtare për Integritetin e Tenisit (ITIA) ka konfirmuar se tenisti dominikan Maikel Villalona është dënuar me katër vjet e gjashtë muaj pezullim për shkelje të shumta të Programit Antikorrupsion të Tenisit (TACP).
Villalona, 21 vjeç, i cili nuk është i renditur në klasifikimin botëror, u akuzua më 15 tetor për pesë shkelje të rënda, përfshirë manipulimin e rezultatit të një ndeshjeje, marrjen e parave dhe mosdenoncimin e një skeme korruptive.
Shkeljet lidhen me një ndeshje dyshe të “ITF World Tennis Tour”, të zhvilluar në vitin 2022, sipas një njoftimi zyrtar të ITIAs.
Po ashtu, tenisti u shpall përgjegjës për mungesë bashkëpunimi me hetimin, pasi injoroi pesë kërkesa të ndryshme të ITIA-s për t’u paraqitur në intervistë në fillim të vitit 2025.
Duke mos iu përgjigjur akuzave të organit përgjegjës për luftimin e korrupsionit në tenis, Villalona pranoi përgjegjësinë për të gjitha akuzat dhe pranoi dënimin, që përfshin pezullimin katërvjeçar e gjashtëmujor si dhe një gjobë prej 10.000 dollarësh (rreth 8.500 euro).
Tenisti vendosi të mos e apelojë vendimin, i cili hyri në fuqi më 30 tetor. Sanksioni i ndalon atij të luajë, të stërvitet apo të marrë pjesë në çdo aktivitet tenisi të organizuar nga anëtarët e ITIA-s. ITIA është një organ i pavarur që përfshin, ndër të tjerë, ATPnë, WTA-në, Federatën Ndërkombëtare të Tenisit (ITF) dhe përfaqësuesit e turneve Grand Slam.