Koreja e Veriut zbulon imazhe të reja të nëndetëses së saj të parë me energji bërthamore
Koreja e Veriut publikoi të enjten imazhe të reja të asaj që pretendon se është nëndetësja e saj e parë me energji bërthamore, një anije masive e barabartë në madhësi me disa nga nëndetëset sulmuese të Marinës së Shteteve të Bashkuara.
Fotografitë e publikuara nga media shtetërore treguan udhëheqësin Kim Jong Un duke inspektuar nëndetësen në një strukturë të mbyllur, duke treguar se ajo nuk është lëshuar ende në ujë.
Ndërtimi i një nëndetëseje me energji bërthamore ka qenë një qëllim i kahershëm për Kim, i cili e diskutoi për herë të parë në një kongres të partisë në pushtet në vitin 2021, por fakti që rivali i saj, Koreja e Jugut, kohët e fundit ka marrë miratimin e administratës Trump për të ndërtuar nëndetëset e veta me energji bërthamore, duket se i ka shtuar urgjencën planeve të Kim.
Anije të tilla kanë shumë përparësi. Ato mund të qëndrojnë të zhytura për periudha të gjata kohore për vite me radhë, nëse mund të mbajnë furnizime të mjaftueshme për ekuipazhin, ndërsa shumica e nëndetëseve me energji konvencionale duhet të dalin në sipërfaqe që ajri të vërë në punë motorët me naftë, të cilët nga ana tjetër i ngarkojnë bateritë e tyre për të funksionuar në thellësi.
Ato janë gjithashtu në përgjithësi më të shpejta se nëndetëset me energji konvencionale dhe në shumë raste janë më të qeta. Aktualisht vetëm Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe India e zotërojnë teknologjinë.
Mediat shtetërore thanë se anija kishte një zhvendosje prej 8,700 tonësh, duke e bërë atë të barabartë me shumicën e nëndetëseve sulmuese të klasit Virginia me energji bërthamore në flotën amerikane.
“Ne e konsiderojmë aftësinë super të fuqishme ofensive si mburojën më të mirë për sigurinë kombëtare në zhvillimin e forcave të armatosura”, tha Kim.
Duke vënë në dukje mbështetjen e SHBA-së, Kim tha se ndërtimi i një nëndetëseje me energji bërthamore nga Koreja e Jugut ishte një veprim që shkelte sigurinë e Koresë së Veriut dhe ishte një kërcënim që duhej kundërshtuar.
Por vetë Pheniani është përgjegjës për tensionet e larta në Gadishullin Korean, tha Leif-Eric Easley, profesor i studimeve ndërkombëtare në Universitetin Ewha Womans në Seul.
Kim “ndoshta ka të drejtë që një grumbullim nëndetësesh me energji bërthamore do të rrisë paqëndrueshmërinë rreth Gadishullit Korean, por ai është vet fajtor për garën e armatimeve”, tha Easley.
“Është Pheniani që mohon diplomacinë me Seulin, kërcënon fqinjët e tij me armë bërthamore dhe thellon vuajtjet e popullit të vet duke i kushtuar burime të mëdha diktaturës ushtarake në vend të zhvillimit ekonomik”, tha ai.
Anija e dytë bëri bujë në fillim të këtij viti kur u përmbys gjatë nisjes . Më pas, luftanija u nxor përsëri në det dhe me sa duket u riparua.
Ndërtimi i shkatërruesve dhe nëndetëseve bërthamore shënoi “një hap përpara në forcimin e aftësive luftarake të flotave tona”, tha Kim gjatë inspektimit të nëndetëses së re.