I mbështetur nga Trump, Nasry Asfura fiton zgjedhjet dhe zgjidhet president i Hondurasit

Nasry Asfura, kandidat i Partisë Kombëtare me qëndrime konservatore, i përkrahur nga presidenti amerikan, Donald Trump, i ka fituar zgjedhjet presidenciale të Hondurasit, tha të mërkurën organi zgjehdor, i cili më në fund e shpalli fituesin për garën e mbajtur më 30 nëntor pas disa vonesash, problemeve teknike e akuzave për mashtrim.

Autoriteti zgjedhor, i njohur si CNE, tha se Asfura ka fituar 40,3 për qind të votave, duke e mposhtur me rezultat të ngushtë kundërkandidatin e Partisë Liberale, Salvador Nasralla, i cili mori 39,5 për qind të votave. Kandidatja e partisë LIBRE në pushtet, Rixi Moncada, doli e treta, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Rezultatet ishin aq të ngushta dhe sistemi i procesimit të fletëvotimeve aq kaotik, saqë rreth 15 për qind e fletëve për regjistrimin e votave, të përbëra nga qindar mijëra fletëvotime, u desh të numëroheshin me dorë për ta përcaktuar fituesin.

Asfura gjatë fushatës kishte platform të gjerë pro bizneseve, duke thënë se investimet private janë të nevojshme për ta çuar vendin përpara dhe agjenda e tij politike ishte e përqendruar në vende pune, arsim dhe siguri.

“Honduras: unë jam gati për të qeverisur. Nuk do të t’lë pa krah” – shkroi Asfura në një shkrim në rrjetin X pas konfirmimit të rezultateve.

Megjithatë, rezultati nuk u pranua nga kryetari i Kongresit, Luis Redondo, i cili vjen nga partia në pushtet, LIBRE. Ai tha se rezultati është “puç zgjedhor”. “Kjo është tërësisht jashtë ligjit. Nuk ka vlerë” – shkroi ai.