Vendet evropiane kundër Izraelit: Tërhiq vendimin për 19 vendbanimet e reja!

Më shumë se një duzinë vendesh, kryesisht nga Evropa, kritikuan ashpër të mërkurën miratimin nga ana e kabinetit izraelit për ndërtimin e 19 vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor, dhe i bënë thirrje Izraelit të tërheqë vendimin.

Grupi përfshin Gjermaninë, Belgjikën, Kanadanë, Danimarkën, Francën, Italinë, Islandën, Irlandën, Japoninë, Maltën, Holandën, Norvegjinë, Spanjën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Ata dënuan veprimet e Izraelit, duke thënë se ato "jo vetëm që shkelin ligjin ndërkombëtar, por edhe rrezikojnë të nxisin paqëndrueshmëri", thuhej në një deklaratë të përbashkët të postuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme Gjermane.

Miratimi i vendbanimeve të reja, rrezikon gjithashtu të minojë planin e paqes në Gaza dhe dëmton "perspektivat për paqe dhe siguri afatgjatë në të gjithë rajonin".

Bregu Perëndimor i pushtuar nga Izraeli në vitin 1967

Izraeli kohët e fundit miratoi krijimin e 19 vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor të pushtuar. Në vitin 1967, Izraeli mori kontrollin e Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor, ku sot jetojnë më shumë se 700,000 kolonë midis rreth 3 milionë palestinezëve.

Vendbanimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Kombet e Bashkuara i konsiderojnë vendbanimet izraelite si një pengesë të madhe për një zgjidhje paqësore, sepse ato do të linin pak territor të pandashëm për palestinezët në një zgjidhje të mundshme me dy shtete që lejon që Izraeli dhe një shtet i pavarur palestinez të ekzistojnë në mënyrë paqësore krah për krah./ DPA News.