Si e vodhi e djathta Krishtlindjen

Krishtlindjet po bëhen një vijë e re e frontit, në luftërat kulturore të Evropës.

Partitë e ekstremit të djathtë po e pretendojnë sezonin festiv si të tyren, duke e riinterpretuar Krishtlindjen si një shenjë të qytetërimit të krishterë që është nën kërcënim dhe duke e pozicionuar veten si vija e fundit e mbrojtjes së tij, kundër një të majte gjoja armiqësore dhe laike.

Kjo klishe i bën jehonë një refreni të njohur përtej Atlantikut që u përhap për herë të parë nga Fox News, ku prezantuesit kanë folur kundër një "Lufte kundër Krishtlindjeve" të supozuar për vite me radhë. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pretendon se e ka "rikthyer" shprehjen "Gëzuar Krishtlindjet" në Shtetet e Bashkuara, duke e paraqitur atë si sfidë ndaj korrektësisë politike. Tani, partitë evropiane të ekstremit të djathtë, të cilat zakonisht përqendrohen në imigracionin ose shqetësimet për rendin dhe ligjin, kanë miratuar një gjuhë të ngjashme, duke e riformuluar Krishtlindjen si fushëbetejën më të fundit, në një luftë më të gjerë mbi kulturën.

Në Itali, kryeministrja Giorgia Meloni e ka bërë mbrojtjen e traditave të Krishtlindjeve, qendrore në identitetin e saj politik. Ajo e ka cilësuar vazhdimisht festën si pjesë të trashëgimisë së rrezikuar të kombit, duke kundërshtuar atë që ajo e quan përpjekje “ideologjike” për ta zbehur atë.

«Si mund të të ofendojë kultura ime?» ka pyetur Meloni në të kaluarën, duke mbrojtur skenat e lindjes së Krishtit në hapësirat publike. Ajo ka argumentuar se fëmijët duhet të mësojnë vlerat e Lindjes së Krishtit - në vend që thjesht ta shoqërojnë Krishtlindjen me ushqimin dhe dhuratat - dhe ka hedhur poshtë idenë se traditat e vjetra duhet të ndryshohen. Këtë vit, Meloni tha se do të abstenonte ndaj alkoolit deri në Krishtlindje, duke e portretizuar veten si një praktikuese e spiritualitetit dhe traditës.  

Tubimi Kombëtar i Francës dhe Vox i Spanjës kanë kundërshtuar në mënyrë të ngjashme përpjekjet laike ose të “zgjuara” për të zëvendësuar imazhet fetare me gjuhë neutrale sezonale, dhe kanë mbështetur skenat e lindjes së Krishtit në bashkitë e qytetit. Në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka paralajmëruar se tregjet e Krishtlindjeve po humbasin “karakterin e tyre gjerman”, duke amplifikuar dezinformimin rreth traditave myslimane duke lënë pas ato të krishtera.

Spektakli i Krishtlindjeve

Por partia e Melonit, Vëllezërit e Italisë, e ka shndërruar mesazhin në spektakël. Çdo dhjetor ajo organizon një festival politik me temë Krishtlindjesh — i shoqëruar nga Babagjyshi, patinazh në akull dhe një pemë gjigante Krishtlindjesh, e ndriçuar me ngjyrat e flamurit italian.

Dikur i mbajtur në heshtje në fund të verës, eventi, i quajtur Atreyu — sipas një personazhi në filmin fantastik ‘The NeverEnding Story’ — që atëherë është zhvendosur në prestigjiozin Castel Sant'Angelo, duke tërhequr familje, turistë dhe kuriozë politikë. Vëllezërit e Italisë thanë në kanalin e tyre në Whatsapp, se festivali kishte qenë “një sukses pa precedent. Numra rekord, pjesëmarrje reale dhe një komunitet që rritet nga viti në vit, duke demonstruar se si është bërë i fortë, si Italia”.

Danieli, një turist 26-vjeçar nga Mallorca, i cili nuk pranoi të jepte mbiemrin e tij sepse nuk donte të shoqërohej me një ngjarje politike të ekstremit të djathtë, tha se ai dhe një mik hynë brenda, pasi vunë re dritat dhe muzikën. “Pastaj e kuptuam se kishte të bënte me politikën”, tha ai duke qeshur.

Krishterimi Kulturor

Për figurat e partisë, simbolika është e qartë. “Për ne, traditat përfaqësojnë rrënjët tona, kush jemi, kush kemi qenë dhe historinë që na bëri atë që jemi sot”, tha Marta Schifone, një deputete e Vëllezërve të Italisë. “Ato rrënjë duhen festuar dhe mbrojtur absolutisht.”

Ky mesazh gjen jehonë edhe tek mbështetësit më të rinj. Alessandro Meriggi, një student dhe udhëheqës në Azione Universitaria, krahu rinor i partisë, tha se Italia është themeluar mbi vlera specifike, që të sapoardhurit duhet t'i respektojnë. "Në një vend si Italia, nuk mund t'u kërkosh shkollave të heqin kryqin", tha ai. "Ai përfaqëson vlerat tona".

Megjithatë, feja shpesh duket pothuajse jashtë teme. Shumë nga politikanët që udhëheqin këto fushata nuk janë veçanërisht të devotshëm, dhe vetëm një pakicë e votuesve të tyre janë të krishterë praktikantë. Ajo që ka rëndësi është Krishterimi si kulturë, një shkurtim qytetërimi që vendos një kufi midis "nesh" dhe "ata".

 “Në vitet 1980 dhe 1990, e djathta radikale mbajti kryesisht distancë nga kisha”, tha Daniele Albertazzi, një profesor në Universitetin e Surrey-t, i cili hulumton populizmin. “Kjo ndryshoi midis viteve 2010-2015, pas sulmeve terroriste islamike në Evropë, të cilat u paraqitën si një përplasje qytetërimesh. Krishterimi u bë një shënues kulturor, një mënyrë për t’u portretizuar si mbrojtës të familjes, traditës dhe identitetit tradicional.”

Organizimi i një festivali Krishtlindjesh është një veprim “shumë inteligjent” nga partia e Melonit, tha ai. “Ata janë përpjekur të përmbysin stigmën e së kaluarës së tyre [në të djathtën ekstreme], duke u bërë një parti moderne konservatore me një kishë të gjerë, dhe kjo është pjesë e ripaketimit.”

Kjo strategji përfiton nga shqetësimi i së majtës me fenë në jetën publike. Partitë dhe institucionet progresive, përfshirë BE-në, janë përpjekur të theksojnë përfshirjen, duke përdorur fraza neutrale si "sezoni i festave", që për të djathtën ekstreme përbën vetë-urrejtje kulturore. Në Itali këtë vit, Lidhja dhe Vëllezërit e Italisë kanë sulmuar disa shkolla, që hoqën referencat fetare nga këngët e Krishtlindjeve. Në Xhenova, partitë e krahut të djathtë akuzuan kryebashkiaken e majtë të qytetit se i dha një "shuplakë traditës", pasi zgjodhi të mos shfaqte një skenë lindjeje në zyrat e saj.

«Nuk turpërohemi të themi 'Gëzuar Krishtlindjet'», tha Lucio Malan, një senator i Vëllezërve të Italisë, në festivalin e Melonit. «Gjithmonë kam promovuar lirinë fetare dhe e di që jo të gjithë janë të krishterë. Por Krishtlindjet janë festa që njerëzve u intereson më shumë. Le të mos harrojmë origjinën e saj».

Ironia, vërejnë kritikët, është se shumë tradita të Krishtlindjeve janë relativisht moderne, të formuara po aq shumë nga tregtia sa edhe nga feja. Megjithatë, Krishtlindjet mbeten politikisht të fuqishme pikërisht sepse janë emocionale, të lidhura me ritualet familjare, kujtimet e fëmijërisë dhe identitetin lokal.

Për qeverinë e Melonit, marrja e përgjegjësisë për Krishtlindjet, i përshtatet një projekti më të gjerë për të rimarrë kontrollin mbi institucionet kulturore nga transmetimi publik te muzetë dhe opera, pas asaj që e sheh si dekada të dominimit të krahut të majtë. Narrativa e së djathtës ekstreme si mbrojtëse e Krishtlindjeve paraqet një sfidë për partitë kryesore, të cilat kanë luftuar për të gjetur një kundër-argument bindës për të mbrojtur bindshëm sekularizmin.

Dhe askund nuk është kjo më e qartë, sesa në vetë festivalin e Krishtlindjeve të Vëllezërve të Italisë. Ndërsa muzgu bie mbi Castel Sant'Angelo, familjet bëjnë patinazh me një kolonë zanore të muzikës pop të Krishtlindjeve, fëmijët pozojnë me Babagjyshin dhe turistët enden brenda, të tërhequr nga dritat dhe muzika në vend të ideologjisë. Politika është e pranishme, por e zbutur, e mbështjellë me nostalgji, traditë dhe gëzim sezonal./ Politico.