Ligji i Mbrojtjes (NDAA): çfarë ndryshon nga 2024–2025 në 2025–2026 dhe pse ka rëndësi për Kosovën dhe Ballkanin

Nga Shkëlqim Berisha 

Politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës nuk ka nisur me Ligjin e Mbrojtjes (NDAA). Që nga koha e George W. Bush, administrata të ndryshme amerikane kanë nxjerrë urdhra ekzekutivë presidencialë që autorizojnë masa ndëshkuese ndaj individëve apo aktorëve që minojnë paqen dhe stabilitetin në rajon. Këta urdhra kanë krijuar një bazë të qëndrueshme veprimi, por kanë mbetur instrumente të varura nga vullneti presidencial dhe, rrjedhimisht, të kthyeshme. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e Ligjit të Mbrojtjes: kalimi nga politika e mbështetur në autoritetin ekzekutiv drejt pozicionimit të kodifikuar nga Kongresi amerikan.

Në NDAA 2024–2025, Ballkani dhe Kosova trajtohen në mënyrë indirekte, brenda kornizës së përgjithshme të sigurisë europiane. Nuk ka kapitull të dedikuar dhe as formulime të qarta politike mbi dialogun Kosovë–Serbi, çështjen e kufijve apo arkitekturën afatgjatë të paqes. Kjo reflekton vazhdimësinë e një status quo-je, ku rajoni menaxhohet kryesisht përmes diplomacisë ad hoc dhe instrumenteve ekzistuese ekzekutive.

Në NDAA 2025–2026, kjo qasje ndryshon në mënyrë thelbësore. Ballkani Perëndimor identifikohet drejtpërdrejt si rajon me rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare të SHBA, ndërsa në tekst përfshihen formulime politike të qarta: kundërshtimi i ndryshimit të kufijve etnikë dhe orientimi drejt një zgjidhjeje përfundimtare të dialogut Kosovë–Serbi të bazuar në njohje reciproke. Ky është një kalim nga fleksibiliteti diplomatik drejt institucionalizimit politik.

Megjithatë, institucionalizimi i qëndrimit amerikan nuk e mbyll automatikisht problemin rajonal. Për sa kohë Serbia nuk bën ndryshime thelbësore në Kushtetutën e saj, nocioni i Ballkani Perëndimor rrezikon të funksionojë jo si hap tranzitor drejt integrimit europian, por si zëvendësim politik i Jugosllavisë: pa Slloveninë dhe Kroacinë që u shkëputën përmes integrimit euroatlantik, me Shqipërinë të shtuar si element balancues, por me Serbinë që vazhdon të ruajë ambiguitetin e vazhdimësisë politike. Në këtë formë, termi nuk shërben për mbyllje kapitujsh, por për menaxhim të paqartësisë, veçanërisht për çështjen e Kosovës.

Në këtë pikë, dallimi mes NDAA 2024–2025 dhe NDAA 2025–2026 bëhet thelbësor për Kosovën. Ndërsa ligji i mëparshëm linte hapësirë për improvizim diplomatik, formulimet e reja e ngushtojnë ndjeshëm këtë hapësirë duke vendosur kufij të qartë politikë për institucionet amerikane. Megjithatë, ky institucionalizim përcakton pozicionin e SHBA, jo automatikisht rezultatin në terren. Ai e forcon kornizën ndërkombëtare, por nuk e zëvendëson procesin politik që duhet të ndodhë brenda vetë rajonit.

Këtu kërkohet realizëm strategjik nga Kosova. Edhe pse Ligji i Mbrojtjes (NDAA) 2025–2026 e ka ngurtësuar pozicionin amerikan në nivel institucional, ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë brenda një viti kalendarik mbetet thellësisht i pasigurt. Pa këtë hap, hendeku mes qëndrimit ndërkombëtar dhe realitetit juridik në Beograd mbetet i hapur, dhe çdo pritshmëri për përparim të shpejtë rrezikon të mbetet deklarative.

Mbështetja amerikane sot është më e qartë se kurrë; sfida reale për Kosovën nuk qëndron në qëndrimin e SHBA, por në realitetin politik dhe kushtetues të Serbisë, i cili ende nuk është i gatshëm të përputhet me këtë pozicion.