Vllaznia rikthehet te fitorja, trajneri Martini: Merkato? Mund të dua ndonjë lojtar

Pas fitores 3-2 ndaj Flamurtarit, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, shprehu kënaqësinë për rikthimin te triumfet, por edhe shqetësimin për performancat e skuadrës gjatë fazës së dytë të kampionatit.

“Nuk jemi të kënaqur për atë që kemi bërë në fazën e dytë. Problemet e dëmtimeve kanë ndikuar shumë. Sot, pas 30 minutash, ekipi tregoi se po rikthehet gradualisht në nivelin e mëparshëm. Kur pësuam gol, stresi ndihej tek të gjithë. Ishte një ngërç psikologjik i madh, por me këtë fitore marrim frymëmarrje,” tha Martini.

Trajneri analizoi gjithashtu ndryshimin e formacionit gjatë ndeshjes: “Luajtëm 4-3-3 në pjesën e parë, pastaj kthyem në 3-5-2. Nervozizmi dhe frika për të mos humbur pikë ndikuan në administrimin e lojës. Por rritja fizike e lojtarëve ka bërë manovrën sulmuese më të qartë. Kam besim se do përmirësohemi çdo ditë.”

Duke folur për merkaton, Martini shtoi: “Mund të doja ndonjë lojtar për të forcuar skuadrën. Ka momente paniku dhe humbje përqendrimi, por falë Zotit, fituam. Flamurtari na vendosi në vështirësi në pjesën e dytë, por mbyllëm vitin me 3 pikë të rëndësishme.”

Trajneri paralajmëroi se ekipi tashmë do të përqendrohet te ndeshjet e ardhshme, duke parë drejt Kupës dhe fazës së dytë të kampionatit.