Tirana proteston dhe braktis ndeshjen, por rikthehet dhe i merr një pikë Elbasanit
Në “Elbasan Arena”, Elbasani dhe Tirana përfunduan ndeshjen e fundit për këtë vit kalendarik me një barazim 1-1. Pjesa e parë kaloi pa shumë emocione, ndërsa e dyta u karakterizua nga tension i lartë dhe episode kontroverse.
Bardheblutë kaluan të parët në avantazh me golin e Serge Tabekou, duke heshtur tifozët vendas. Në minutën e 72-të, Elbasani barazoi nga pika e penalltisë me golin e Olberkis, një vendim që u kontestua fort nga Tirana. Në shenjë proteste ndaj arbitrit Laver Alla, lojtarët e Tiranës braktisën për disa minuta fushën e lojës.
Pas ndërhyrjes së stafit dhe negociatave, Tirana riktheu lojtarët në fushë dhe ndeshja u vazhdua pa ndryshime deri në fund.
Me këtë barazim, Elbasani mban vendin e dytë në Kategorinë Superiore me 33 pikë, ndërsa Tirana mbetet në fund të renditjes me 10 pikë.