'Trump kthen vëmendjen nga Ballkani', Kedhi: Shqipëria 'nën lupën' e Uashingtonit përtej korrupsionit
Një akt i fundit i miratuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sinjalizon një ndryshim strategjik të fokusit ndaj Ballkanit Perëndimor, duke i kushtuar një seksion të veçantë rajonit, ndryshe nga vitet e kaluara. Ky dokument përmban lajme pozitive për faktorin shqiptar, duke hedhur poshtë idetë për ndarjen e kufijve të Kosovës dhe duke theksuar rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme në të gjithë rajonin.
Edhe pse Shqipëria nuk përmendet specifikisht me emër, si një nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ajo është pjesë integrale e këtij vlerësimi të ri.
I ftuar ditën e sotme në 'Task Force' në Syri Televizion, Nikola Kedhi nga Departamenti Brain Gain i Partisë Demokratike u shpreh se situata në vend perceptohet se e ka tejkaluar nivelin e një çështjeje të thjeshtë korrupsioni. Ajo tashmë konsiderohet një cënim i drejtpërdrejtë jo vetëm për demokracinë dhe sigurinë e brendshme shqiptare, por edhe për interesat strategjike amerikane në këtë rajon delikat të kontinentit europian.
Ky zhvillim, sipas Kedhit shpjegon vëmendjen e shtuar të administratës amerikane, e cila në kundërshtim me parashikimet për një qasje izolacioniste, po tregon një angazhim të thellë në rajon.
Kjo vëmendje reflektohet edhe në mediat më të mëdha amerikane si CNN, Washington Times, Fox News dhe New York Post, të cilat i kanë kushtuar kohë dhe hapësirë të konsiderueshme zhvillimeve në Shqipëri dhe Ballkan.
Kjo rritje e vëmendjes nga Uashingtoni vjen si pasojë e dëmtimit të interesave amerikane në rajon. Përputhja e interesave të SHBA-së me dëshirën e qytetarëve shqiptarë për një vend më të lirë, më demokratik dhe më të sigurt, shihet si një zhvillim pozitiv.
Deklarata e plotë:
"Do të shikojmë që në ndryshim nga vitet e tjera, vërtetë është një akt që kalon dhe firmoset për vit, por në ndryshim nga vitet e tjera ka një seksion të dedikuar për Ballkanin Perëndimor. Dhe në këtë seksion të dedikuar për Ballkanin Perëndimor shikojmë që ka një lajm shumë, ka disa lajme shumë të mira për shqiptarët, me thënë të drejtën, qoftë për Kosovën që është zhdukja e kësaj idesë që qarkullonte të ndarjes së kufijve.
Kosova në NATO, apo të tjerë të tjerë elementë që forcojnë faktorin shqiptar, dhe ka dhe një element për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për forcim të demokracisë dhe institucioneve në këtë rajon.
Natyrisht, Shqipëria ndoshta nuk përmendet me emër, por Shqipëria është një nga gjashtë vendet është një nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe duke parë situatën në Shqipëri, qoftë raportin final të OSBE-ODIHR-it, qoftë raporte të tjera, përsa i përket çështjes së sigurisë, raporti i narkotikëve i Departamentit të Shtetit i këtij shtatori, raporti i klimës së investimeve të Departamentit të Shtetit të këtij shtatori, ë apo të tjerë deklarata nga zyrtarë amerikanë apo qoftë edhe zyrtarë europianë, shikojmë që ka një vëmendje të shtuar për Ballkanin Perëndimor.
Ndryshe nga ç'flitej më përpara nga propaganda, nga sidomos nga e majta amerikane apo botërore, që presidenti Trump do ishte një president izolacionist, në fakt është krejt e kundërta.
Presidenti Trump është shumë i angazhuar në punët e botës dhe është gjithashtu i angazhuar për forcimin e kontinentit europian.
Ballkani është një rajon delikat i i kontinentit europian dhe ndaj ka një vëmendje të shtuar dhe një seksion më vete, specifik në këtë dokument të mbrojtjes ë dhe të sigurisë ose të interesave amerikane.
Në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri ka ndodhur kjo gjë. Nuk është më thjesht çështje korrupsioni. Po të ishte korrupsion, ka në Shqipëri, ka në vende të tjera dhe dikush edhe mbyll një sy. Në Shqipëri kemi shkuar përtej korrupsionit.
Është një cënim i drejtpërdrejtë, jo vetëm i demokracisë shqiptare dhe i sigurisë shqiptare, por dhe i interesave amerikanë.
Dhe kjo bën që të ketë një vëmendje të shtuar nga administrata amerikane. Kemi parë mediat gjithashtu amerikane, CNN-i ka bërë kronikë ë dy herë brenda javës së fundit për Shqipërinë. Kemi Washington Times-in, Washington Examiner disa herë në vitet e fundit. Pra Fox News, New York Post, pra mediat kryesore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, institucionet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës merren me Ballkanin, merren me Shqipërinë specifikisht.
Pikërisht sepse interesat e tyre në Ballkan janë dëmtuar dhe kjo është, kjo vëmendje e shtuar është në favor dhe tonin, sepse në këtë pikë, në këtë moment kemi që interesat e tyre dhe interesat tona si shqiptarë, që duam një Shqipëri më të lirë, më demokratike, më të sigurt, përputhen. Dhe kjo duhet të na gëzojë dhe neve, kjo vëmendje e shtuar e tyre dhe duhet të inkurajojë gjithashtu popullin shqiptar që kërkon një ndryshim dhe që unë jam i bindur që është në shumicë, që të reagojë".