Venezuela akuzon SHBA-në për 'zhvatje' për sekuestrimin e cisternave të naftës
Venezuela ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “zhvatjen më të madhe” dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare gjatë një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të thirrur pas konfiskimit nga Uashingtoni të dy cisternave të naftës venezueliane.
Ambasadori i Venezuelës në OKB, Samuel Moncada, e cilësoi sekuestrimin si “më të keq se pirateria”, duke thënë se SHBA-të po kryejnë “plaçkitje, grabitje dhe rikolonizim” të vendit të tij. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka juridiksion në Karaibe,” deklaroi ai, duke vënë në dyshim lidhjen e industrisë së naftës venezueliane me akuzat për trafik droge.
Mbledhja e jashtëzakonshme u thirr për të diskutuar konfiskimin e cisternave, i cili ndodhi në brigjet e Venezuelës në fillim të këtij muaji. SHBA-të kanë bërë të ditur gjithashtu se po ndjekin një tanker të tretë venezuelian.
Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar presidentin venezuelian Nicolas Maduro se drejton një kartel droge dhe më 16 dhjetor urdhëroi një bllokadë detare ndaj të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela. Ai ka thënë se SHBA-të do ta mbajnë ose shesin naftën bruto të konfiskuar, si dhe vetë anijet.
Në muajt e fundit, SHBA-të kanë rritur ndjeshëm praninë ushtarake në Detet e Paqësorit dhe Karaibeve, duke dërguar rreth 15,000 trupa, aeroplanmbajtëse dhe anije luftarake. Sipas Uashingtonit, qëllimi është ndalimi i rrjedhës së fentanilit dhe kokainës drejt SHBA-së. Megjithatë, ekspertë të sigurisë kanë paralajmëruar se sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge – mbi 20 të tilla, me të paktën 100 viktima – mund të shkelin ligjet që rregullojnë konfliktet e armatosura.
Në përgjigje të akuzave, ambasadori i SHBA-së në OKB, Michael Waltz, tha se Uashingtoni nuk e njeh Maduron si udhëheqës legjitim të Venezuelës. “Aftësia e Maduros për të shitur naftën e Venezuelës i mundëson pretendimet e tij mashtruese për pushtet dhe aktivitetet e tij narko-terroriste,” u shpreh ai.
Rusia dhe Kina dolën në mbështetje të Venezuelës, duke akuzuar SHBA-në për agresion. Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, tha se SHBA-të po “shkatërronin në mënyrë të paligjshme” anije civile në Karaibe dhe paralajmëroi se vende të tjera mund të jenë objekt i veprimeve të ngjashme. Ndërsa i dërguari i Kinës, Sun Lei, i bëri thirrje Uashingtonit të ndalojë menjëherë veprimet dhe të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.
Në Karakas, mbështetës të qeverisë venezueliane protestuan kundër bllokadës amerikane, duke mbajtur pankarta me mesazhe si “Venezuela kërkon respekt” dhe “Ne nuk jemi koloni e askujt”. Presidenti Maduro deklaroi se Këshilli i Sigurimit po i jep “mbështetje të madhe” Venezuelës.