Berisha: Rama kundër heqjes së imuniteteve dhe arrestimit të kriminelëve! Zgjidhja e vetme, protesta deri në largimin e tij

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në një konferencë për mediat se kryeministri Edi Rama ka dalë hapur kundër heqjes së imuniteteve dhe arrestimit të kriminelëve, e të kryetarëve të organizatave kriminale.

Berisha akuzoi Ramën dhe disa zyrtarë të lartë se po bllokojnë zbatimin e ligjit dhe vendimet e prokurorisë dhe gjykatave.

Sipas tij, “kapo i kapove” i kësaj situate është vetë Edi Rama, të cilin e quajti të lidhur me krimin. Berisha theksoi se shpresa e vetme, mbetet reagimi i qytetarëve përmes një revolte paqësore. Ai bëri thirrje për një protestë të qëndrueshme deri në largimin e kryeministrit nga pushteti.

FJALA E BERISHËS:

Siç del qartë, Edi Rama, i ngërthyer tani kokë e këmbë nga mafia e tij, Lubi Balluku, Ergys Agasi, Olta Xhaçka, Taulant Balla, etj, në një vendim in-ekstremis, ka vendosur të asgjësojë, të bllokojë zbatimin e ligjit dhe të vendimit të prokurorisë dhe gjykatave.

Ai del haptas kundër heqjes së imuniteteve dhe arrestimit të kriminelëve, të kryetarëve të organizatave kriminale, Lubi Balluku është me të gjithë të dhënat e veta kryetare e një organizate të strukturuar kriminale.

Por problemi në këtë rast është se kapo i kapove është Edi Rama.

Dhe ai e ka shumë të qartë.

Ai është skllav i krimeve të veta.

Ndaj dhe sot shpresë e vetme, fjalë e vetme është fjala e qytetarëve.

Dhe unë i garantoj qytetarët me besimin më të madh se me revoltën e tyre, me revoltën e popullit opozitar, Edi Rama do ia mbathë siç ia ka mbathur çdo diktator tjetër.

I garantoj se edhe prapa diellit po të shkojë, do ta sjellim para gjykatës në Shqipëri.

Pra, sot për largimin e tij nuk kërkohet asgjë tjetër përveç guximit, vendosmërisë dhe vullnetit të qytetarëve shqiptarë në një protestë të qëndrueshme gjer në largimin e tij.

Prova u bë, revolta u dëshmua.

Por kjo duhet të jetë e qëndrueshme.

Bulevardi duhet të jetë i qytetarëve.

Sheshi duhet të jetë i qytetarëve.

Jo një ditë, dy apo tre, por aq kohë sa duhet për ta larguar.

Ndaj dhe ne do punojmë fort,opozita do punojë fort për të bindur qytetarë të gatshëm për sakrifica në një revoltë paqësore për të larguar nga skena regjimin më të urryer, më armiqësor, që ata kanë pasur pas Enver Hoxhës që ata kanë pasur në histori.