Akuza për korrupsion dhe pastrim parash, kalon për gjykim dosja e kardiologut Edvin Prifti
Rreth dy vite pas përfundimit të hetimeve nga SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim çështjen ndaj mjekut Edvin Prifti.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tij akuzat për “korrupsion pasiv në 7 raste”, “vjedhje duke shfrytëzuar detyrën”, “pastrim parash” dhe “fshehje të ardhurash”.
Sipas hetimeve të kryera nga prokurori Sotir Kllapi, Prifti dyshohet se ka përfituar në mënyrë të parregullt shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Gjatë kontrolleve në banesën dhe zyrën e tij, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit gjetën fizikisht 1.1 milionë euro, shumë që sipas SPAK-ut mjeku nuk e justifikonte ligjërisht.
Po ashtu, dyshohet se që nga viti 2018, Prifti ka kërkuar nga subjekte të ndryshme tregtare fatura tatimore fiktive për shërbime mjekësore, me qëllim jo vetëm justifikimin e shumave të përfituara, por edhe shmangien nga detyrimet tatimore.
Çështja tashmë do të vijojë në proces gjyqësor.