Gjoba ndaj Beketit fundos Albcontrol-in/ Rama shton edhe 40 mln euro nga buxheti, shifra shkon në 70 mln në një vit

Para pak ditësh u konfirmua se qeveria shqiptare ka humbur procesin kundër biznesmenit italian, Françesko Beketi edhe në gjykatën e apelit në Paris.

Në këtë mënyrë, biznesmeni italian vazhdon të marrë nga fondet e taksapaguesve shqiptarë për gjobën prej 110 milionë eurosh, e cila është rritur shumë më tepër për shkak të kamatave, kostove të procesit, etj.

Biznesmeni italian po i merr fondet nëpërmjet parave të destinuara për kompaninë Albcontrol.

Për këtë arsye, përmes rishikimit të fundit të buxhetit të shtetit, qeveria e Edi Ramës ka vendosur t’i akordojë më shumë fonde Albcontrol-it, në formën e transfertës kapitale, për shkak të vështirësive të funksionimit pas bllokimit të llogarive për çështjen Beketi.

Këtë herë janë shtuar 40 milonë euro në buxhetin e kompanisë Albcontrol.

Ndërkohë me aktin normativ, që rishikoi buxhetin në muajin tetor, kur u ndanë fondet për shpërblimin e pensionistëve për fundvit, u dhanë edhe 30 milionë euro për kompaninë Albcontrol.

Vetëm gjatë këtij viti, financimi i Albcontrol nga buxheti i shtetit ka arritur në 7 miliardë lekë ose rreth 70 milionë euro.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka deklaruar më herët në komisionet parlamentare se mbështetja për Albcontrol do të vazhdojë pasi asaj i janë bllokuar llogaritë që kjo shoqëri ka në Eurocontrol.

Një gjykatë europiane ka vendosur të bllokojë fondet e Albcontrol në Eurocontrol për shkak të gjobës së Beketit.