Lufta e Putinit vret në Finlandë/ Ujqërit rusë bëjnë masakër ndaj drerëve në pyje

Finlanda, vendi i NATO-s me kufirin më të gjatë me Rusinë (1.340 km), po përballet me një “pushtim” tjetër që nuk mund ta ndalë: ujqërit rusë. Që kur Moska pushtoi Ukrainën dhe Finlanda u bë anëtare e Aleancës Atlantike, tensionet ushtarake janë rritur përgjatë kufirit. Por tani problemi është natyror… dhe i egër.

Qindra e ndoshta mijëra lloje të ujqërve po kalojnë kufirin nga Rusia për të sulmuar drerët, kafshët ikonike të Arktikut. Në pyjet afër kufirit, trupat e drerëve të vrarë janë rritur ndjeshëm dhe shenjat tregojnë qartë se janë ujqërit ata që i kanë sulmuar. “Vijnë nga lindja”, shpjegon për CNN pastori i drerëve, Juha Kujala, duke iu referuar Rusisë.

Përse po ndodh kjo?

“Shumë rusë që dikur gjuanin ujqërit janë detyruar të shkojnë në luftë në Ukrainë. Tani rriten pa pengesa dhe kalojnë tek ne për ushqim, duke shkatërruar popullsinë e drerëve”, thotë Kujala.

Statistikat flasin qartë: Ndërsa më parë në këtë pjesë të Finlandës sulmet e ujqërve ndaj drerëve varionin nga 500 në 1 mijë në vit, në 2025 janë regjistruar mbi 2 mijë sulme. Analiza e ADN-së tregon se shkaktarë nuk mund të jenë ujqërit vendas, por ata që vijnë nga Rusia.

Në fshatrat pranë kufirit rus, shikimet e ujqërve janë shtuar ndjeshëm, një tjetër tregues që gjuetarët lokalë nuk janë më në gjendje të kontrollojnë popullsinë e tyre, pasi janë thirrur në shërbim ushtarak për luftën në Ukrainë. CNN vëren: “Lufta në Ukrainë ka pasoja që ndihen edhe në distanca të mëdha.”

Për blegtorët dhe pastorët finlandezë, ujqërit rusë janë një katastrofë. Drerët janë jetike për Arktikun, për mishin, lëkurën dhe turizmin. Çdo dimër, mijëra vizitorë vijnë në Laponi për të parë “shtëpinë e Babagjyshit” dhe për të udhëtuar me sania të tërhequra nga drerët.

“Nëse lufta në Ukrainë nuk ndalet”, paralajmëron Kujala, “do të ketë gjithnjë më pak renë këtu, dhe jeta ime do të bëhet gjithnjë e më e vështirë”.