Shkodër/ Sekuestrohen 44 kuti me kapsolla, procedohet penalisht pronarja e një dyqani

Vijojnë kontrollet nga Policia e Shkodrës në zbatim të planit të masave për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në prag të festave të fundvitit.

Si rezultat i kontrolleve intensive të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, është goditur një rast i shitjes së lëndëve piroteknike nga një subjekt i paautorizuar, në lagjen “Tre Heronjtë” të qytetit të Shkodrës.

Gjatë kontrollit në dyqanin në pronësi të shtetases S. P., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 44 kuti me lëndë piroteknike (kapsolla), të ndaluara për tregtim, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases S. P.

Policia bën me dije se kontrollet për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike do të vijojnë në të gjithë qarkun e Shkodrës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.