Teliti: Buxheti i Tiranës trajtohet si plaçkë, rrëzuan amendamentet që mbyllnin rubinetat e abuzimit

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar buxhetin për vitin 2026, në një vlerë prej 410 milionë eurosh, mes akuzave të forta të opozitës për vazhdimin e modelit të abuzimit me fondet publike. Sipas këshilltarit Dorian Teliti, ky buxhet nuk do të sjellë asnjë përmirësim në jetën e qytetarëve, por do të shërbejë kryesisht për të financuar një administratë të stërmadhuar dhe për të vazhduar shpërdorimin e parave publike.

Teliti denoncoi se modeli i vjedhjes vazhdon të jetë i njëjti, pavarësisht ndryshimeve në krye të bashkisë pas arrestimit të Erion Veliajt. Sipas tij, nuk bëhet fjalë më vetëm për ish-kryebashkiakun, por për “të gjithë qeverinë që ka futur duart” në bashki, duke emëruar drejtues dhe duke ndjekur modelin “kap ça të kapësh”. Ai theksoi se fondet nuk synojnë më shuma të vogla, por janë të destinuara për abuzime të mëdha, për klientelën dhe për t'u ndarë si “llokma të mëdha të buxhetit”.

Grupi i këshilltarëve të opozitës paraqiti 29 amendamente me qëllim bllokimin e atyre që i quajti “kullimet” e buxhetit. Propozimet synonin, ndër të tjera, uljen e taksave dhe tarifave vendore që janë rritur deri në 10 herë, ndërtimin e shkollave e kopshteve në zonat me nevojë urgjente si Astiri apo Kodra e Priftit, ndërtimin e banjove publike, si dhe ndalimin e pagesave për inceneratorin e Tiranës, të cilin e cilësoi si një “proces fantazmë” për të cilin do të paguhen edhe 14 milionë euro të tjera vitin e ardhshëm. Të gjitha këto propozime u rrëzuan nga mazhoranca socialiste, e cila, sipas Telitit, nuk pranoi as t'i diskutonte apo t'i hidhte në votim.

Pyetjes se ku do të shkojnë konkretisht 410 milionë eurot, Teliti i dha një përgjigje tronditëse. Mbi 85% e këtij buxheti do të përdoret për paga, sigurime dhe shpenzime operative të administratës së bashkisë. Kjo administratë, sipas tij, është fryrë në mënyrë artificiale, duke arritur në 12,500 punonjës, nga më pak se 5,000 që ishin në vitin 2016. Kjo rritje me 2.5 herë e numrit të punonjësve do të thotë se pjesa dërrmuese e parave të taksapaguesve shkon për të mbajtur aparatin burokratik, duke lënë shumë pak hapësirë për investime reale në infrastrukturë dhe shërbime për qytetarët.

Teliti theksoi kontrastin e thellë në prioritetet e bashkisë. Ndërkohë që u premtuan fonde për subvencionimin e fermerëve dhe produktet vendase, buxheti i vitit të ardhshëm parashikon zero lekë për këtë zë. Në të njëjtën kohë, policia bashkiake ndëshkon tregtarët ambulantë të moshuar, por injoron ndërtimet pa leje në zemër të kryeqytetit. Ky buxhet, i miratuar pa debat dhe duke shpërfillur opozitën, duket se çimenton një model qeverisjeje ku fondet publike nuk shërbejnë për të mirën publike, por për të ushqyer një sistem klientelist dhe një administratë joefikase.

Teliti:

Do vjedhin ata që kanë vjedhur gjatë këtyre 10 viteve. Po të njëjtët janë, po të njëjtat emra, po të njëjtat fytyra, po i njëjti model, që vazhdon pavarësisht se është apo s'është Veliaj më në zyrë, i cili vazhdon ende të ketë dhe njerëz të tij pjesërisht. Por tashmë nuk është vetëm Veliaj, po janë dhe të tjerët, është e gjithë qeveria që ka futur duart atje brenda, që ka emëruar zëvendëskryetarë, ka emëruar drejtora, ka emëruar shefa sektorësh e kështu me radhë, për të vazhduar atë modelin 10-12 vjeçar të viteve të fundit, që është kap ça të kapësh.

Po doli përpara dhe qe fond i lirë, dhe të jetë një fond i cili të jetë i pëlqyeshëm dhe nga ana e madhësisë. Sepse nuk flasim më, këta nuk kënaqen më me 100 lekësha, e kemi vënë re tashmë. Këta duan vlera të konsiderueshme. Janë fonde të destinuara për abuzime, të destinuara për t'iu dhënë klientelës, dhe në fund fare të destinuara për t'u ndarë bashkë me klientelën, ato llokma të mëdhaja të buxhetit, të cilat vazhdojnë të ndahen vit pas viti si ajo bakllavaja që u dhurua para dy-tre vitesh, që ua ndanin deputetët socialistë njëri-tjetrit. Ashtu siç trajtohet buxheti i qendror i shtetit, ashtu trajtohet dhe buxheti i Tiranës. Nuk ka as edhe një lloj ndryshimi. Modeli është i njëjti.

Madje ky ishte dhe qëllimi ynë gjilpërë, prezantuam 29 amendamente. Jo për ta bërë atë buxhetin e Tiranës një buxhet perfekt, jo. Po 29 amendamentet tona synonin arnimin dhe bllokimin e të gjithë atyre kullimeve që ka, që kullojnë, pika-pika, pikatorët që janë të buxhetit të Tiranës, për të mbyllur rubinetat e abuzimit. Dhe thoni ju, i morën parasysh këto 29 amendamente? Absolutisht që jo. A pranuan që t'i diskutonin këto 29 amendamente? Jo, nuk i pranuan. A pranuan t'i fusnin në votim, që është procedurë ligjore normale për të votuar propozimet e palës tjetër? Absolutisht as në votim nuk i hodhën.

Ishin 29 amendamente Flavio, të cilat synonin nga njëra anë lehtësimin e barrës për qytetarët dhe për sipërmarrjen në Tiranës. Uljen e taksave dhe tarifave vendore. Këto taksa dhe tarifa vendore që janë rritur nga dy deri në 10 herë gjatë këtyre viteve, kanë nevojë urgjente, ulëritëse. Aktorët e tregut të Tiranës, pra, familjarët, konsumatorët dhe bizneset, që këto taksa të ulen ndjeshëm.

E patëm propozuar me anë të amendamenteve, as u morën parasysh, as u votuan dhe Tirana dhe në vitin 2026 do jetë kryeqyteti, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, me taksat dhe tarifat më të larta për frymë të popullatës, bazuar dhe në ekonominë rajonale që neve kemi. A pranuan këta këshilltarët e mazhorancës, të cilët janë thjesht një tufë e madhe kartongritësish? Realisht një tufë e madhe kartongritësish, që nuk logjikojnë, që nuk mendojnë. Shohin thjesht çfarë kartoni duhet të ngrejnë në bazë të porosisë që u vjen në mesazh.

Ju propozuam atyre që mos të paguhet më, zonja dhe zotërinj, inceneratori i Tiranës që nuk ekziston. Madje sfidova dhe nënkryetarin e bashkisë, në komisionin e ekonomisë, i thashë, a ka mundësi të shkojmë bashkarisht me ju, nënkryetare e re e Bashkisë së Tiranës tashmë, Vasilika Vjeros, të shkojmë te inceneratori i Tiranës, të futemi brenda, ta shohim bashkarisht këtë procesin e incenerimit, që sipas jush ekziston, por që gjithë bota e di që nuk ekziston. Pastaj do t'i japim vitin e ardhshëm 14 milionë euro të tjera. Një procesi, i cili është proces fantazmë. Vjedhje e hapur.

I bëra sfidën, hajde të shkojmë te Ujësjellës Kanalizime, të shkojmë në Bovillë. E cila vazhdon të marrë nga taksapaguesit e Tiranës, çmimin e rritur të ujit dhe ujë nuk kemi në çezmat tona. I bëra sfidë, hajde të shkojmë në terren aty ku kryhen investimet. Që gjoja kryhen investimet për infrastrukturë. Dhe që ne e shohim shumë mirë që janë investime minimaliste, të cilat jo thjesht nuk i rregullojnë zhvillimin e zonës, por përkundrazi, i kanë hapur problematika sidomos sipërmarrjeve të zonës.

Bëmë propozime, atë propozimin i cili është normale për një kryeqytet, i cili aspiron për t'u integruar në Bashkimin Evropian. Po hajde të ndërtojmë banjot publike, që nuk ka më banjo publike. Edhe në kohën e Enver Hoxhës kishte banjo publike Tirana. Një shërbim i cili është i domosdoshëm për qytetarët e Tiranës. I thanë jo, me votë kartoni. Hajde të ndërtojmë kopshte, shkolla dhe çerdhe, që i ka nevojë Tirana sot, duke specifikuar dhe lagjet ku ato janë të nevojshme për t'u ndërtuar. Pasi nuk i ndërtojmë dot të gjitha brenda një viti. Po ama vitin 2026, ta adresonim problematikën e tre lagjeve kryesore ku ka mungesë akute të shkollave, kopshteve dhe çerdheve. Që është zona e Astirit, kurora e liqenit të Tiranës dhe Kodra e Priftit. Çfarë bënë këshilltarët socialistë? I thanë jo. T'i thoje hajde të ndërtojmë infrastrukturën e nevojshme të institucioneve parashkollore.

As nuk i hodhën në votim fare.

Janë 410 milionë euro buxhet për vitin e ardhshëm, i cili u miratua me votat e kartonave të mazhorancës socialiste, të cilët janë 410 milionë euro që realisht nuk do japin një impakt fare, po fare, absolutisht fare në mirëqenien tonë si qytetarë dhe në shërbimet që ne marrim si qytetarë apo si sipërmarrës që jetojmë në Tiranë.

Pra, jemi në një situatë, i dashur Flavio, që 410 milionë euro vitin e ardhshëm nuk do përkthehen në shërbime dhe në investime. Dhe të flasim konkretisht tashmë. Mbi 85% e buxhetit do të shkojë, në fakt ky ishte realizuar vitin e ardhshëm, ka për të qenë i destinuar për paga, sigurime dhe shpenzime operative të një administrate prej 12,500 punonjësish.