‘Rama në hall të madh’, Vokshi: Ja pse nuk e lëshon Belinda Ballukun…
Në një kohë kur tensionet politike në Kuvend kanë arritur kulmin me përjashtimin e 23 deputetëve të opozitës, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, një nga të përjashtuarat, e ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv, ka lëshuar akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama. Sipas saj, veprimet e fundit të maxhorancës nuk janë gjë tjetër veçse një përsëritje e përkeqësuar e historisë së përplasjeve dhe bllokimit të opozitës.
Vokshi, gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, e cilësoi situatën aktuale si një "deja vu", duke kujtuar periudhat e mëparshme të protestave dhe përjashtimeve, ku opozita kërkonte komisione hetimore dhe interpelanca. Ajo theksoi se megjithëse maxhoranca socialiste gëzon një shumicë të konsiderueshme, sjellja e saj në parlament tregon një strategji të qartë për të heshtur zërin e opozitës.
Sipas deputetes demokrate, sesioni i ri parlamentar filloi me shkelje të rënda. Ajo deklaroi se që në seancën e parë, kur diskutohej programi i qeverisë, opozitës iu mohua e drejta e fjalës në mënyrë "antikushtetuese dhe antiprocedurale". "Seanca u mbyll për më pak se gjysmë ore. Që nga ai moment nuk ka pasur më jetë normale parlamentare," u shpreh Vokshi.
Në qendër të akuzave të saj ishte çështja e ministres Belinda Balluku. Vokshi argumentoi se refuzimi i prerë i kryeministrit Rama për të lejuar diskutimin e heqjes së imunitetit për Ballukun, lidhur me skandale të njëpasnjëshme, nuk bëhet për të mbrojtur ministren, por vetë kryeministrin.
"Ai do me çdo kusht ta mbrojë Belinda Ballukun, që të mos vijë në parlament. Ka rënë në hall të madh, nuk di si t'ia bëjë Belindës, sepse Belinda e merr me vete edhe Edi Ramën," deklaroi Vokshi. Sipas saj, mbrojtja e Ballukut është në fakt një vetëmbrojtje për Ramën, duke lënë të kuptohet se një hetim i mundshëm ndaj ministres do të implikonte drejtpërdrejt edhe kreun e qeverisë. "Ai nuk po e mbron Belindën, ai po mbron veten e tij," përfundoi deputetja e opozitës.
Flavio Qarri: Rikthehemi, rikthehemi të flasim për këto artifica spektakolare që si me shaka i kanë hequr 23 deputetë nga salla e kuvendit dhe sigurisht ca të tjerë i kanë larguar nja 30 ditë të mira. Një nga të përjashtuarat e famshme që nuk e ka për herë të parë, Albana Vokshi, është me ne në këtë mëngjes.
Duket si një rikthim në fakt, e kam bërë dhe një herë tjetër kur patën një stinë të gjatë përjashtimesh të deputetëve të Partisë Demokratike dhe u bënë të rregullta pamjet e përplasjeve tuaja tek dera e kuvendit. Është një déjà vu?
Albana Vokshi: Dëgjo, Edi Rama e përsëriti historinë, por për fat të keq ka filluar ta përsërisi në mënyrë më të përkeqësuar. Juve ju kujtohen, sikurse e përmendët, ju kujtohen disa prej protestave që ne kemi bërë para rreth një viti e pak kur kërkonim të drejtat për të folur, për komisione hetimore, për interpelanca e kështu me radhë. Në fakt në, në nisje të këtij sesioni të ri, pavarësisht se ky parlament nuk, ëh, nuk përcjell pra vullnetin e qytetarëve, nuk personifikon vullnetin e votuesve, menduam që duke pasur këtë supermaxhorancë, Edi Rama nuk do kishte nevojë as për të të prerë fjalën, as për, as për të refuzuar interpelancat, as për të refuzuar komisionet hetimore e kështu me radhë.
Po përkundrazi, që ditën e parë, që në seancën e parë kur do kur do të diskutohej programi i qeverisë dhe, përbërja e qeverisjes, ju kujtohet që na e hoqi të drejtën e fjalëve të gjithve, nxori diellën, në mënyrë antikushtetuese, antiproceduriale, duke u tall me të gjithë deputetët, duke u tall me të gjithë qytetarët, dhe e mbylli seancën për më pak se gjysëm ore. Që nga ai moment nuk ka pasur më jetë normale parlamentare. Shto këtu edhe skandalet e njëpasnjëshme. Shto që do me çdo kusht ta mbrojë Belinda Ballukun, që të mos vijë pra për në në parlament për t'u diskutuar heqja e imunitetit, sepse nuk e ka gjetur, ka rënë në hall të madh. Nuk di si t'ia bëjë Belindës, sepse Belinda e merr me vete edhe Edi Ramën. Pra, nëse Edi Rama po refuzon që Belinda Balluku të vijë në parlament, të bëjë transparencë për gjithë vjedhjet e saj, të t'i heqi imunitetin e ta çojë para drejtësisë, ai nuk po e mbron Belindën, ai po mbron veten e tij....