Dy policë të vrarë nga një shpërthim në Moskë

Tre persona, përfshirë dy policë, humbën jetën pas një shpërthimi në Moskë, njoftuan autoritetet ruse.

Sipas Komitetit Hetimor të Rusisë, dy policë të trafikut vunë re një “person të dyshimtë” pranë një automjeti policor në rrugën Yeletskaya të qytetit. Kur u afruan për ta ndaluar, një pajisje shpërthyese u aktivizua.

Dy policët humbën jetën nga plagët, së bashku me një person tjetër që ndodhej pranë vendit të ngjarjes.

Ky sulm ndodh dy ditë pas vdekjes së një gjenerali të lartë rus, Fanil Sarvarov, i cili humbi jetën nga një shpërthim automjeti në kryeqytet të hënën.

Hetuesit rusë shprehën dyshime të forta për një atentat të organizuar nga shërbimet sekrete ukrainase. 56-vjeçari, veteran i luftës në Ukrainë, ishte kreu i drejtorisë operacionale të trajnimit në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë ruse dhe është gjenerali i tretë i vrarë në atentate në një vit.