‘Fatura fiktive nga inceneratorët te rindërtimi’, Shehaj: I përdorin kompani me risk të lartë, duhej të vëzhgoheshin

Një skemë e mirëfilltë dhe e përhapur e vjedhjes së fondeve publike përmes faturave fiktive, shtrihet në të gjitha kontratat e mëdha koncesionare dhe tenderat publikë në vend.

Një skemë të tillë e denoncoi edhe ekspertja e ekonomisë, Brisida Shehaj në emisionin ‘Task Force’ në Syri Tv, duke zbuluar  se si miliona euro vidhen sistematikisht, duke nisur nga afera e inceneratorëve, te sterilizimi, check-up-i, ndërtimi i rrugëve, tuneli i Llogarasë e deri te fondet e rindërtimit.

Ndërsa u përmend blerja fiktive e çokollatave për të justifikuar daljen e parave, kjo skemë abuzimi sipas Shehajt nuk është një rast i izoluar, por një mekanizëm i shtrirë në çdo projekt madhor, ku paratë publike devijohen drejt xhepave privatë.

Në qendër të këtij mekanizmi mashtrimi qëndrojnë kompani të cilësuara me “risk të lartë”, të cilat, pavarësisht se duhet të ishin nën vëzhgim të rreptë, janë përdorur për të lëshuar fatura fiktive.

Kjo ngre pyetje serioze mbi mosfunksionimin e sistemeve të kontrollit të administratës tatimore dhe asaj doganore, të cilat duhet të kishin ngritur alarmin për aktivitetin e dyshimtë të këtyre subjekteve.

Kritika të ashpra i drejtohen edhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila akuzohet se nuk po ndjek siç duhet gjurmën e parave. Theksohet se përtej skandaleve mediatike që tërheqin vëmendjen e publikut, ajo që i intereson më së shumti qytetarëve është pikërisht ndjekja penale dhe rikuperimi i parave të vjedhura, të cilat mund të investoheshin në sektorë jetikë si shëndetësia, duke përmendur nevojat urgjente të spitalit onkologjik.

Fiktivisht që ky bën 100.000 lekë, do marrin fatura fiktive. Dhe një nga faturat fiktive ishte kjo blerja e çokollatave. Në çdo kontratë koncesionare, doni te inceneratorët, fatura fiktive, të faktuara publikisht nga media.  Shkojmë te Eko-parku në Durrës, fatura fiktive. Shkojmë te sterilizimi, fatura fiktive. Shkojmë te check-up-i i Vilma Nushit që vazhdon fle dosja në prokurori, fatura fiktive. Po të marrësh koncesione të tjera, fatura fiktive. Shko te këto të rrugëve, fatura fiktive. Shko te tuneli i Llogarasë, përveç 50 milionëshit, aty kishte dhe kompani shofera që bëheshin pronare, faturonin 7 milionë euro. Shko te rindërtimi, kemi folur për fatura fiktive.

Kudo që ka kontrata koncesionare dhe tendera publik, ka fatura fiktive.  Dhe ti nuk mundesh që të lejosh kompani të caktuara si ajo e cila kanë marrë këto fatura, pra që kanë shitur këto çokollata, që janë kompani të cilat kanë qenë me risk të lartë. Unë kam përfunduar në një super debat me gjithë tregun e Medresesë për atë kompani. Ka pasur investigime që të kohës time. Pra, në kompani të tilla ti normalisht duhet t'i kesh me risk, si sistemi i tatimeve, si sistemi i doganave. Dhe çuditërisht, edhe njëra kompani që punonte me me tendera shkonte te ky, edhe një kompani tjetër që punonte me tendera te AKSHI po shkonte te ky. Te kompanitë e inceneratorëve, ato kanë dalë që në kohën time, por për skemë tjetër, jo për inceneratorët. Që është kallëzuar që atëherë, mbyllej, e mbante Delina Ibrahimaj, stoponi kontrollet. Pra, është një histori që edhe SPAK-u nuk po bën atë që duhet të bëjë te kjo gjë. Sepse deri më sot ne, unë e kuptoj që ne jemi shumë sensitivë, që të shohësh te Big Brother atje se si filmojnë veten... është e tmerrshme.

Që të shohësh se si Mirlinda Karçanaj shkon te Ergys Agasi dhe kjo është e tmerrshme. Të shkosh, të shohësh komunikimet e Belindës, patjetër, por të gjitha janë të tmerrshme. Por ajo që i intereson shqiptarëve sot dhe duhet t'i interesojë më së shumti SPAK-ut, është paraja. Sepse ne flisnim që ka jahte. Të gjitha dosjet kanë nga një mjet. Kanë makina, kanë lukse, kanë vila. Janë aty ato. Ti mund t'i marrësh ato. Pra mund t'ia kthehesh një pjesë të parave, të çojmë lekë te ky onkologjiku, mos të bëjmë gjynah. Mbas një viti, mund të jemi dhe ne pacientë të onkologjikut apo pacientë i spitalit tjetër. Dhe ne jemi në një shtet që nuk na jep ne as minimumin. Në momentin që ti konstatove atë mall, dogana të garantojë, mund të kërkonte dhe ndihmën e tatimeve, mund të kërkonte ndihmën e kujtdo. I kanë të gjitha mjetet që t'i konfiskonin, t'i merrnin dhe t'i depozitonin nëpër drejtoritë e tyre.  Domethënë ne i çonim te rezervat e shtetit. Ke më vend ku t'i çosh, po thjesht nuk kanë dashur me i marrë.