Dosja ‘Agasi’/ Bushkolaj: Zbardh 30 mln euro të vjedhura përmes tenderave fiktivë e manipulim votash
Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë nga dosja hetimore e SPAK për Ergys Agasin, ish-drejtorin e Agjencisë së Teknologjisë së Informacionit (AKSHI), duke zbuluar një skemë të mirëfilltë korrupsioni, intimidimi dhe manipulimi elektoral që dyshohet se arrin deri në nivelet më të larta qeveritare. Dosja tregon një panoramë të zymtë ku politika, biznesi dhe krimi shkrihen në një, duke përdorur fondet publike për pasurim personal dhe për të siguruar pushtetin politik.
I ftuar në emisionin “Task Force”, gazetari Elkier Bushkolaj u shpreh se dosja hetimore e SPAK për Ergys Agasin, ish-drejtorin e AKSHI-t, zbardh një skemë tronditëse korrupsioni, intimidimi dhe manipulimi elektoral që arrin deri në nivelet më të larta të qeverisë. Sipas tij, përmes tenderave dhe faturave fiktive, janë përvetësuar rreth 30 milionë euro në vetëm nëntë muaj, ndërsa biznesmeni Geron Meçe u rrëmbye për gjashtë orë nga persona me uniforma policie, nën kërcënimin e armëve dhe të familjes së tij, për të tërhequr ankimimet për tendera publikë.
Bushkolaj theksoi se paratë e përfituara nga këto skema dyshohet se kanë përfunduar në pastrim përmes sektorit të ndërtimit dhe në financimin e fushatave elektorale, ndërsa analiza e votave nga emigracioni, veçanërisht nga Greqia, sugjeron manipulim të qëllimshëm për të garantuar vazhdimësinë e pushtetit. Ai nënvizoi se lidhja mes politikës, biznesit dhe krimit është e plotë, duke shndërruar fondet publike në instrument për pasurim personal dhe blerje votash, ndërsa përfitues të skemës identifikohen individë me pasuri marramendëse dhe ndikim të drejtpërdrejtë në procesin elektoral.
Pjesë nga deklarata:
Nuk e di çfarë do të thoshte tani po të pyetej, se vështirë është të gjesh atë njeriun që i thoshte shqiptarëve se si duhet, kur ka marrë nga taksat e shqiptarëve vetëm nëntë muaj rreth 30 milionë euro. Pra, përmes këtyre tenderave fiktivë dhe faturave fiktive, siç argumentoi edhe Brisi. E lexova dosjen dhe është tronditëse për hir të së vërtetës. Gjëja që aty ka ndodhur është fiks tipar i narkoshtetit, veçanërisht ato gjashtë orë të rrëmbimit të biznesmenit Geron Meçe, i rrëmbyer nga njerëz me uniforma policie që mbanin edhe logon e BKH-së dhe të SPAK-ut.
E rrëmbyen në sytë e babait të tij, e çuan në Elbasan, gjatë gjithë kohës nën kërcënim dhe shantazhe, e detyruan të merrte në telefon bashkëpunëtorët e tij dhe të tërhiqnin ankimimet nga të gjithë tenderat që kishin ankimuar. Në fund të bisedës i përmendën edhe gruan dhe fëmijën, duke i thënë se do t’i kërcënonin.
Për hir të së vërtetës, ndryshe nga herët e tjera kur SPAK-u është ndihmuar shumë nga dosjet e SKY ECC, këtë herë, në fakt, e ka ndihmuar shumë Ergys Agasi SPAK-un, me vetëpërgjimin që i kishte bërë vetë, si dhe me regjistrimin e tij dhe të bashkëpunëtorëve, përfshirë telefonatat nga zyra. Termat “kokainë”, “zyra ku jepen lejet e ndërtimit në Kryeministri”, aty përmendeshin sikur ishin diçka krejt normale. Kam përshtypjen që, edhe me zbërthimin e telefonit personal të zotit Agasi, SPAK do të ketë material të bollshëm.
Madje, që sot ka nisur dhe janë vënë në lëvizje edhe për çështjen e kullave, pasi, ashtu sikurse u faktua në dosjen Balluku, edhe në dosjen Agasi sektori kryesor ku këta kanë kanalizuar pastrimin e parave është sektori i ndërtimit. Është patjetër ndërtimi, pasi aty kanë qarkulluar miliarda euro të narkotrafikut që janë investuar në këtë sektor, dhe pastaj përfituesit u kuptuan se kush janë: kush ka 300 apartamente, kush ka kullë me imazhin e tij në zemër të Tiranës, kush janë ndërtuesit ose rrethi i afërt i tyre që merrte tenderat publikë më të rëndësishëm, përfshirë infrastrukturën rrugore.
Unë besoj që SPAK aktualisht po përqendrohet dhe po thellon hetimin pasi Ergys Agasi, të paktën nga ato që del në dosje dhe nga ato që pritet të dalin nga telefoni i tij, është një nga personat kyç që ka ndihmuar në injektimin masiv të parave të pista, qoftë në sektorin e ndërtimit, qoftë në investime strategjike.
Ne e kemi thënë prej kohësh që nuk ka më vijë ndarëse mes politikës, ekonomisë dhe krimit. Ato janë shkrirë në një. Këto deklarime janë bërë në kuadër të dëshmisë që Mirlinda Karçanaj ka dhënë, pasi aty është faturuar qartë takimi që ka pasur në zyrën e Ergys Agasit, ku i pranishëm ka qenë edhe Ermal Beqiri, një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave të AKSHI-t. Tenderat kalonin më pas në finale te baxhanaku i Edi Ramës ose te kompanitë e Ergys Agasit.
Një pjesë e mirë e këtyre parave që zhvaten nga buxheti i shtetit shkon edhe për qëllime elektorale, dhe kjo u demonstrua qartë nga numri i madh i votave, veçanërisht në Greqi. Nëse bëhet një analizë e votave të Greqisë dhe krahasimi me vendet e tjera të Bashkimit Europian, diferenca është frikshme, pa një kalkulim elektoral. Nuk ka kalkulim elektoral për shkak të tipologjisë së votuesit në Greqi, pjesa më e madhe e të cilëve janë nga jugu i vendit dhe shumë prej tyre kanë ikur në vitet ’90.
Të mendosh që njerëz që kanë ikur dy vite pas rënies së regjimit të votojnë për pushtetin aktual është një nonsens. Po marrim për shembull votën e qarkut të Lezhës, ku ruhej një trend: herë në favor të mazhorancës, herë në favor të opozitës, ndërsa në Greqi rikuperimi i votave ekspozonte vjedhjen ose plotësimin e votave të mundshme. Votat e krimit të organizuar dhe votat e korrupsionit patjetër janë injektuar… kemi parë nëpër dosje.