Zyrtare/ Endrick huazohet te Lyoni, mësoni kushtet e marrëveshjes
Olympique Lyon ka zyrtarizuar transferimin e brazilianit Endrick nga Real Madridi, i cili do të qëndrojë te klubi francez në formë huazimi deri më 30 qershor 2026. Njoftimi u bë përmes një videoje me atmosferë festive, nën moton: “Këtë vit Krishtlindja vjen më 23 dhjetor”. Gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore, Endrick do të mbajë fanellën me numrin 9 te Lyoni.
Hapat drejt huazimit lidhen kryesisht me mungesën e minutave në këtë sezon. Deri tani, sulmuesi brazilian ka luajtur vetëm 99 minuta në tri ndeshje zyrtare, shumica prej tyre në përballjen e Kupës së Mbretit kundër Talaveras. Nën drejtimin e Xabi Alonso-s, Endrick nuk ka qenë pjesë e rregullt e planeve të ekipit dhe huazimi synon t’i sigurojë vazhdimësi konkurruese.
Qëllimi i futbollistit është i qartë: të grumbullojë sa më shumë minuta për t’u rikthyer në garën për një vend në Kombëtaren e Brazilit për Kupën e Botës në SHBA, një event që një vit më parë dukej se do ta kishte sulmuesin si pjesë të pandashme të ekipit, por mungesa e minutave këtë sezon ka vënë në dyshim këtë vendim.
Sezoni i parë i Endrick-ut me Real Madrid nuk ishte i lehtë. Nën drejtimin e Carlo Ancelotti-t, braziliani pati më shumë minuta, sidomos në Kupën e Mbretit, ku shënoi pesë gola në gjashtë ndeshje, si dhe realizoi gola në LaLiga dhe Champions League. Megjithatë, këtë sezon, përparimi i tij është ndalur, me vetëm një startim në Kupë dhe paraqitje të kufizuara në pjesën tjetër të garave.