Çmimi historik i Amerikës Latine, Messi sfidon Martínez-in dhe De Arrascaeta-n për kurorën e vitit
Lionel Messi është një hap më pranë një trofeu prestigjioz që ende mungon në karrierën e tij të jashtëzakonshme. ‘Ylli’ argjentinas është mes tre futbollistëve më të votuar në sondazhin tradicional “América le Responde a El País”, i organizuar nga e përditshmja uruguajane “El País”, ku në fund të vitit shpallet fituesi i çmimit simbolik “Mbret i Amerikës”.
Së bashku me Messin, në garë janë edhe Adrián “Maravilla” Martínez dhe uruguajani Giorgian De Arrascaeta. Fituesi do të bëhet i ditur më 31 dhjetor, në të njëjtën ceremoni ku do të shpallen edhe lojtari dhe trajneri më i mirë i vitit në kontinentin amerikan.
Messi, i cili ka fituar titullin kampion në MLS me Inter Miamin, synon ta shtojë këtë vlerësim në palmaresin e tij. Një vit më parë, ai u rendit vetëm në vendin e pestë me 14 vota, duke mbetur pas emrave si Luiz Henrique, Jefferson Savarino, Juan Fernando Quintero dhe Thiago Almada. Megjithatë, sezoni aktual dhe kualifikimi për Botërorin 2026 e kanë rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes.
Adrián Martínez vjen pas një viti të shkëlqyer me Racing, ku fitoi “Recopa Sudamericana”, arriti në gjysmëfinale të “Copa Libertadores” dhe në finale të “Torneo Clausura”, duke qenë protagonist absolut me gola vendimtarë. Ndërkohë, De Arrascaeta ka dominuar me Flamengon, duke fituar “Copa Libertadores” dhe Kampionatin Brazilian, si dhe duke u shpallur lojtari më i mirë i turneut, golashënuesi dhe asistuesi kryesor i skuadrës.
Çmimi “Mbret i Amerikës” jepet që nga viti 1986. Futbollisti më i suksesshëm në histori mbetet Carlos Tévez me tri fitore, ndërsa emra legjendarë si Valderrama, Verón, Neymar, Romario, Riquelme dhe Ronaldinho e kanë fituar nga një ose dy herë. Emri i radhës që do të gdhendet në këtë listë prestigjioze do të zbulohet në fund të vitit.