Bledi Shkëmbi sqaron praninë në SPAK: Dorëzova dokumentet për një automjet të bllokuar

Paraqitja e Bledi Shkëmbit në ambientet e SPAK-ut ka tërhequr vëmendje dhe ka ngjallur menjëherë kureshtje, duke u perceptuar fillimisht si një zhvillim i papritur. Ish-futbollisti i njohur dhe ish-trajneri i Tiranës, i cili ka shkruar faqe të rëndësishme historie me Skënderbeun, është parë sot në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Vetë Shkëmbi ka sqaruar se prania e tij në SPAK nuk ka lidhje me ndonjë hetim personal apo çështje penale ndaj tij. Ai ka bërë të ditur se arsyeja lidhet me aktivitetin e tij si administrator i një kompanie që merret me dhënien e makinave luksoze me qira. Sipas tij, një prej automjeteve të kompanisë, konkretisht një Audi RSQ8, është bllokuar për shkak të procedurave hetimore që lidhen me personin që e kishte marrë makinën me qira.

I qetë dhe i buzëqeshur para mediave, Shkëmbi theksoi se kishte shkuar në SPAK për të dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. “Solla dokumentet që vërtetojnë pronësinë e automjetit dhe procedurat ligjore të ndjekura për dhënien e tij me qira, me qëllim që makina të zhbllokohet dhe kompania jonë të vazhdojë normalisht aktivitetin e saj”, u shpreh ai.

Shkëmbi nënvizoi se kompania që ai administron nuk ka asnjë përfshirje në problematika ligjore dhe se bashkëpunimi me institucionet është bërë për të sqaruar plotësisht situatën dhe për të shmangur çdo keqkuptim.