SYRI TV/ Rama justifikon paqen fiskale: Se kemi shpikur ne

Kryeministri Edi Rama ka marrë në mbrojtje nismën e qeverisë për paqen fiskale, e cila u kundërshtua nga Bashkimi Europian dhe FMN, si një ligj që cënon barazinë e bizneseve dhe krijon kushte për pastrimin e parave të pista. Ndërsa institucionet ndërkombëtare kanë shprehur shqetësime për këtë ligj, në një takim me bizneset, Rama u justifikua duke thënë se ky ligj nuk është një shpikje e qeverisë së tij.

SYRI TV

Kryeministri Edi Rama është shprehur i vendosur për të vijuar me të ashtuquajturën paqe fiskale, e cila është konsideruar gjerësisht si një mekanizëm që cënon barazinë e bizneseve, nxit evazionin fiskal dhe krijon kushte për pastrimin e parave të pista të krimit dhe korrupsionit. Gjatë një takimi me bizneset, Rama mori në mbrojtje ligjin e kundërshtuar nga FMN dhe Bashkimi Europian, duke u munduar të justifikojë miratimin e tij si një premtim fushate, megjithëse institucionet ndërkombëtare kanë shprehur shqetësime të konsiderueshme ndaj kësaj nisme.

Rama u përfshi në replika edhe me një përfaqësues të sektorit të ndërtimit, duke iu mohuar fjalën dhe duke iu kujtuar se nuk janë në këtë takim për të folur dhe për të shprehur shqetësimet, por për të dëgjuar kryeministrin.

Qeveria Rama vijoi me miratimin e paqes fiskale, pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të Komisionit Europian që theksuan se disa nga masat e planifikuara mund të dekurajojnë përmbushjen e detyrimeve tatimore, duke krijuar rrezik për uljen e kulturës së pagesës dhe respektimit të ligjit. Komisioni nënvizoi se çdo hap në këtë drejtim duhet të shoqërohet me garanci të forta kundër pastrimit të parave, duke paralajmëruar se drafti i propozuar nga qeveria nuk i plotëson këto standarde.

Institucionet ndërkombëtare kishin shprehur shqetësime se marrëveshja mund të dëmtonte disiplinën fiskale të vendit, të nxiste pritshmëri për amnisti të shpeshta dhe të krijonte pabarazi mes bizneseve që zbatojnë rregullat dhe atyre që përfitojnë nga faljet.

Dhoma Amerikane e Tregtisë evidentoi një sërë problematikash me ndikim të gjerë juridik, ekonomik dhe të qeverisjes fiskale, që lidhen me faktorë të tillë si rrezik i lartë për cenimin e konkurrencës së ndershme; mundësi reale për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë dhe pastrim parash; ulje të cilësisë së administrimit tatimor; pasoja serioze ekonomike dhe fiskale në buxhetin e shtetit dhe nxitje të skemave të zhvendosjes së bizneseve drejt normave më të ulëta.